Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në rrugën “Lulishtja” në Gjilan, ku shtatë persona dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë konfliktit janë përdorur edhe mjete të mprehta (thika), me ç’rast të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore.
Pesë prej tyre, pas trajtimit mjekësor, janë liruar, ndërsa dy persona, për shkak të lëndimeve të rënda, janë transferuar nga Spitali i Gjilanit për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
“Me vendim të prokurorit të rastit, pesë të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, e cila po trajtohet si “vrasje në tentativë””, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.