Pas përfundimit të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) për zgjedhjet komunale të mbajtura më 12 tetor, janë evidentuar disa dallime të vogla mes rezultateve preliminare të natës së zgjedhjeve dhe atyre të publikuara më vonë nga QKN në komunën e Deçanit.
Bashkim Ramosaj, kandidati i AAK-së, ka siguruar fitore pa balotazh, duke marrë mbi 51% të votave në të dyja fazat e numërimit, dhe duke konfirmuar mandatin e tij të tretë si kryetar i Komunës së Deçanit, transmeton lajmi.net.
Në rezultatet preliminare të natës së zgjedhjeve, Ramosaj kishte marrë 7,866 vota, që përbënin 51.57% të votave të përgjithshme. Pas numërimit në QKN, ai ka dalë edhe më i fuqishëm, me 7,916 vota ose 51.72%, duke fituar edhe 50 vota shtesë dhe duke rritur përqindjen për 0.15%.
Kandidati i LDK-së, Jeton Mushkolaj, kishte arritur të siguronte 3,222 vota (21.12%) sipas rezultateve preliminare, ndërsa në QKN numri i votave të tij është rritur lehtë në 3,226, megjithatë përqindja e tij ka pësuar një rënie të vogël në 21.08%.
Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka pasur një rritje më të dukshme. Nga 1,789 vota (11.73%) që kishte në natën e zgjedhjeve, ajo ka shkuar në 1,841 vota (12.03%) pas numërimit në QKN – një rritje prej 52 votash dhe 0.30% më shumë në përqindje.
Ndërkohë, kandidati i Iniciativës Demokracia, Shkumbin Demaliaj, ka pësuar një ulje të lehtë në rezultat. Ai kishte marrë 1,415 vota (9.28%) në rezultatet preliminare, ndërsa në QKN është regjistruar me 1,371 vota (8.96%), duke humbur 44 vota dhe duke rënë për 0.32% në përqindje.
Kandidati i Vetëvendosjes, Faton Selmanaj, ka pasur një rritje shumë të vogël – nga 777 vota (5.09%) në preliminare, në 780 vota (5.10%) në QKN, duke fituar vetëm 3 vota shtesë dhe duke ruajtur përqindjen pothuajse të pandryshuar.
Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Jetmir Prekalla, ka pësuar një rënie të lehtë. Ai kishte marrë 148 vota (0.97%) në natën e zgjedhjeve, ndërsa në QKN ka rezultuar me 142 vota (0.93%), një rënie prej 6 votash.
Po ashtu, Shefqet Tolaj nga subjekti GUXO ka marrë 36 vota (0.24%) sipas rezultateve preliminare, ndërsa në QKN ka përfunduar me 29 vota (0.19%), duke humbur 7 vota dhe me një rënie prej 0.05% në përqindje.
Ramosaj: Fitore e pastër dhe e padiskutueshme
Me 7,916 vota dhe 51.72% të përkrahjes qytetare sipas QKN-së, Bashkim Ramosaj ka konfirmuar fitoren e tretë radhazi në Deçan pa balotazh, duke ruajtur një epërsi bindëse ndaj të gjithë kundërkandidatëve.
Rezultatet e Qendrës Komunale të Numërimit janë pjesë e procesit zyrtar që i paraprin certifikimit përfundimtar nga KQZ, ndërsa vërehet se ndryshimet mes rezultateve preliminare dhe atyre të QKN-së janë minimale dhe nuk kanë ndikuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve./lajmi.net/