Nga lamtumira me Cityn te divorci: Guardiola rrëfehet pa dorëza në dokumentarin e Amazon

Seriali dokumentar “A Beautiful Obsession”, që iu kushtua dy viteve të fundit të Pep Guardiolës në bankinën e Manchester Cityt dhe i disponueshëm nga sot në Prime Video në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, i tregon disa nga momentet më intensive të përjetuara nga trajneri katalanas, brenda dhe jashtë fushës.
Mes rrëfimeve private, shpërthimeve në dhomën e zhveshjes dhe lamtumirës emocionuese, dokumentari zbulon edhe disa prapaskena të panjohura më parë, përcjell “Gazeta Express”.
Një nga momentet më prekëse daton në dhjetor të vitit 2024, pas humbjes 2-0 nga Juventusi.
Guardiola vendosi t’u tregonte lojtarëve të tij për fundin e martesës me Cristina Serrën, duke e kthyer dhimbjen personale në një mësim për jetën.
“Djem, dua t’ju rrëfej diçka. Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në botë, gruaja ime, ish-gruaja ime. E dua në mënyrë të jashtëzakonshme, por e kemi humbur pasionin. A e dua? Po, absolutisht. A më do ajo mua? Po, por e kemi humbur atë pasion”, u tha Guardiola lojtarëve të tij.
Më pas, trajneri spanjoll u drejtohet futbollistëve me një mesazh të qartë: “Dhe ju, pse luani futboll? Pse luani vërtet, apo sepse keni diçka brenda jush që ju shtyn ta bëni? Çfarëdo që të bëni në jetë, bëjeni me pasion. Unë nuk dua thjesht futbollistë të mirë, dua lojtarë që kanë pasion”.
Pak ditë më vonë, pas humbjes në “Anfield” nga Liverpooli, shpërtheu përplasja me kapitenin e atëhershëm, Kyle Walker, i irrituar nga kritikat e vazhdueshme të trajnerit.
“Ti vazhdon ta përmendësh emrin tim në çdo mbledhje dhe për çdo gjë. Në çdo dreq mbledhjeje është gjithmonë emri im”, i tha Walker trajnerit.
Përgjigjja e Guardiolës erdhi mes lotësh: “Është një humbje e imja. Nëse problemi jam unë, duhet të ma thuash. Nuk qëndroj këtu për paratë apo thjesht për të qëndruar. Nuk dua ta kem ndjesinë se duhet të arratisem. Nëse problemi jam unë, ma thuaj. Kjo nuk do ta ndryshojë as për një sekondë dashurinë që kam për ty”.

Lexo edheE pabesueshme se ku ka përfunduar Darëin Nunez
Një tjetër moment kyç i serialit zhvillohet në nëntor të vitit 2025, pas humbjes 2-0 nga Bayer Leverkuseni në Champions League, e cila erdhi pasi Guardiola kishte bërë shumë ndryshime në formacion.
Pas ndeshjes, trajneri u mbajti lojtarëve një fjalim jashtëzakonisht të ashpër: “Dreqin, djem! Secili prej jush duhet të thotë: ‘Tani do t’i tregoj se jam më i miri, do t’i tregoj këtij dreq trajneri se vlej më shumë se të tjerët’. Kjo është konkurrenca. Dhe ku ishte sot? Jam i trishtuar”.
“Jam i zhgënjyer me veten për të gjitha gjërat jashtëzakonisht budallaqe që përpiqem t’i bëj për t’ju dhënë besim dhe siguri. Ndihem vërtet budalla. Kam ardhur këtu në orën tetë të mëngjesit. Kam kaluar orë dhe orë duke kërkuar diçka që mund t’ju prekte në zemër. Në zemrën tuaj! Dhe kur nuk ia dal, ky është një zhgënjim personal”.
“Ju nuk ma ktheni kurrë, djem. E dini çfarë do të ndodhë? Do ta keni një trajner tjetër. Dhe nëse në fund të sezonit e shoh ndonjërin prej jush me fytyrë të trishtuar, do ta vras. Nëse ju shoh duke u ankuar për ndonjë vendim që do ta marr, do t’ju vras”, deklaroi Guardiola.
Pas asaj humbjeje, i kritikuar edhe nga drejtuesit e klubit, Guardiola e kuptoi se cikli i tij te Manchester City kishte arritur tashmë në fund.
Dy ditë para ndeshjes së fundit të sezonit, ai ua komunikoi zyrtarisht vendimin lojtarëve.
“Po largohem me një mirënjohje të jashtëzakonshme dhe me një lumturi të jashtëzakonshme për të gjithë ju”, ishte mesazhi i fundit i Guardiolës për skuadrën.
Dokumentari e zbulon kështu anën më personale dhe emocionale të njërit prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit, duke i treguar jo vetëm sfidat e tij në fushë, por edhe betejat personale që i përjetoi gjatë viteve të fundit në Manchester. /Gazeta Express














