back to top
Sunday, September 28, 2025
BallinaLajmeNga grabitja e trajnerit tek plagosja e policit, e shkuara e errët...

Nga grabitja e trajnerit tek plagosja e policit, e shkuara e errët e Fatjon Prendit që u kap në Greqi me 1 ton drogë

Të ngjajshme

Policia greke shkatërroi një grup kriminal duke vënë në pranga 6 shtetas shqiptarë, mes tyre kreun e grupit, Fatjon Prendi, 39 vjeç.

Në operacionin, ku morën pjesë edhe forcat speciale EKAM, u sekuestruan mbi 1 ton marijuanë, mbi 1000 rrënjë marijuanë, arsenal armësh dhe sasi të tjera droge, përfshirë ato sintetike.

Fatjon Prendi rezulton një emër i njohur për drejtësinë greke, i përfshirë në një ngjarje të përgjakshme më 7 dhjetor 2012 në Krioneri të Greqisë.

Në atë rast, 4 persona, përfshirë Prendin, tentuan të hynin me forcë në shtëpinë e një familjeje, ku vajza e re sapo ishte kthyer duke mbajtur në çantë 1700 euro. Autorët thyen një dritare dhe hynë në banesë, duke i rrëmbyer çantën vajzës, e cila u mbyll me familjen në dhomën e prindërve dhe njoftoi policinë.

Grabitësit u larguan në këmbë, por policia i ndoqi dhe pati shkëmbim zjarri. Gjatë ngjarjes, gazetari i njohur grek Makis Triantafyllopoulos, që kishte shkuar për të raportuar, u bllokua nga grabitësit dhe i morën makinën në zonën e Ekalit. Policia nisi një ndjekje të egër, ku pati një shkëmbim tjetër zjarri pranë varrezave, dhe një makinë patrullimi u përplas në një përrua gjatë ndalimit të autorëve. Një oficer policie u plagos gjatë përleshjes.

Operacioni për shkatërrimin e grupit të Fatjon Prendit u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias. Grupi kriminal kultivonte drogë dhe tregtonte kokainë dhe substanca të tjera sintetike. Në pranga ranë 6 persona, përfshirë kreun e grupit, 39-vjeçarin Prendi, dhe bashkëpunëtorët e tij: 36-vjeçarin Elson Ndreca, 35-vjeçaren Brisejda Cami, 73-vjeçaren Pashke Gega, 35-vjeçaren Zoje Ndoj dhe 50-vjeçarin Arben Mashi, i cili jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 1 ton e 161 kg marijuanë, 1640 rrënjë marijuanë, 4.3 gram kokainë, 3.5 gram ketaminë, 10 gram kristal methamfetaminë MDMA, 9 tabela ecstasy dhe një arsenal armësh që përfshinte 2 pistoleta, 1 Kallashnikov, 1 granatë dhe 134 fishekë. Po ashtu, u konfiskuan 3 automjete, 17 celularë, para false dhe në valuta të ndryshme.

Sipas burimeve policore, Fatjon Prendi kishte precedentë penalë në Greqi për tentativë vrasje dhe grabitje në bashkëpunim dhe ndodhej në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa Arben Mashi kishte precedentë për organizatë kriminale, drogë, armë dhe shkelje të ligjit për emigrantët./TCH/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz