back to top
Monday, September 15, 2025
BallinaLajmeNga 46 projekte të planifikuara, asnjë i realizuar në tre muajt e...

Nga 46 projekte të planifikuara, asnjë i realizuar në tre muajt e parë të vitit

Të ngjajshme

Për 46 projekte sa janë planifikuar të realizohen në periudhën janar – mars 2019 në komunën e Skenderajt, janë paraparë të investohen 3.555.833 euro të mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’. 

Asnjë projekt nga 46 sa janë planifikuar për tre muajt e parë të vitit 2019 nuk është realizuar në komunën e Skenderaj. Drejtori për Ekonomi e Financa në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha, ka sqaruar se projektet nuk janë realizuar për shkak të vonesave me miratimin e buxhetit të vitit 2019 nga Qeveria e Kosovës.

“Ju e dini se buxheti ka qenë dashur të miratohet në dhjetorin e vitit 2019 e ai është miratuar në shkurtin e vitit 2019. Për këtë arsye edhe buxheti për projektet kapitale të parapara të realizohen në tremujorin e parë të vitit nuk ka mundur të alokohet”, ka thënë Berisha në seancën e Kuvendit të Skenderajt, ku është diskutuar për harxhimin e buxhetit për tre muajt e parë të këtij viti.

Ai tha se Komuna gjatë vitit 2018 ka mbetur në obligime në kategori ekonomike të shpenzimeve për mallra dhe shërbime (50.860 euro), shërbime komunale (7.350), subvencione (2.460) dhe projekte kapitale (342.890 euro), gjithsej 403.560 euro.

Sipas Berishës, në përgjithësi shpenzimet për tre muajt e parë të vitit 2019 janë më të ulëta për 27 për qind, të krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Disa nga asamblistët, në veçanti ata të opozitës (Lëvizja Vetëvendosje), kanë bërë shumë vërejtje për shpenzimet enorme në disa kategori.

Shpenzimet për derivate, shumë të larta

Hysni Mehani, nga LVV-ja, tha se shpenzimet për derivate të veturave zyrtare janë shumë të larta, si dhe ato për dreka zyrtare dhe se ato nuk mund të arsyetohen.

Mehani matematikisht dhe në hollësi ka shpjeguar për shpenzimet e derivateve të naftës për veturat e Komunës që përdoren.

“Për tre muaj 21.005, 31 euro i ka shpenzuar Komuna e Skenderajt për derviate veç për automjete. Kur i kthejmë 21 mijë euro në litra të derivateve, nëse 1 litër e derivateve kushton 1.15 centë rezulton se Komuna ka shpenzuar 18 mijë 265 litra derivate për 64 ditë pune, do të thotë 285 litra derivate në ditë. Nëse një veturë shpenzon 7 litra për 100 kilometra i bie që brenda ditës veturat e Komunës kanë bërë 4071 kilometra në ditë. Supozojmë që 5 vetura zyrtare kanë qenë në terren dhe e ndajmë 4071 në 5 vende i bie që secila veturë zyrtare i ka kaluar 814 kilometra në ditë, do të thotë se secila veturë zyrtare duhet të shkojë 8 herë në ditë në Prishtinë e të kthehet. Kur e llogarisim një orë vajtje e një orë ardhje i bie që 5 vetura zyrtare të Komunës duhet të kenë qenë 16 orë në ditë në lëvizje pa ndalur. Kur llogarisim që orari i punës është 8 orë në ditë i bie që jo 5, por 10 vetura zyrtare të Komunës kanë lëvizur 8 orë në ditë pa ndalur. Kur llogarisim që prej orës 12:00 deri në orën 13:00 është pauza i bie që më shumë se 11 vetura duhet të kenë qenë në lëvizja pa ndalur gjatë tërë orarit të punës për tremujorin e parë të vitit 2019. Që të jemi edhe më të saktë 4071 kilometra të kaluara për 64 ditë pune kur e pjesëtojmë me 10 vetura rezulton se secila veturë ka kaluar 407.1 kilometra në ditë, herë 64 ditë pune barazi me 26.054.4 kilometra të kaluara për secilën veturë. Me këtë ritëm veturat zyrtare janë në rrezik dhe shumë shpejt duhet ndërruar rripin e dhëmbëzoreve, por mos u brengosni veturat zyrtare janë shumë në rregull, ato thjesht kanë pirë derivate duke qëndruar në vend. Me këtë Komuna jonë ka bërë diçka të jashtëzakonshme, sepse ka zbuluar lëvizësin e palëvizshëm, të cilin Aristoteli nuk e shpjegoi dot”, ka precizuar Mehani.

Shumë shpenzime edhe për dreka

Ai ka kritikuar edhe për shumën e madhe të mjeteve të harxhuara për dreka zyrtare në tre muajt e parë të këtij viti.

“Kur shpenzimeve për derivate i shtohen 5.514.71 euro për dreka zyrtare, 3.271,59 euro për telefona, 3.845.40 euro për mirëmbajtjen e automjeteve i bie që më shumë se 30 mijë euro i kanë shpenzuar në automjete, dreka zyrtare e telefon këta pushtetarë duke u shërbyer qytetarëve. Kur kësaj ia shtojmë edhe rreth 22 mijë euro rroga të 31 asamblistëve për tre muaj e që një pjesë e tyre e ka shfrytëzuar mandatin e asamblistit për t’i punësuar familjarët e jo për interesa të qytetarëve pa i llogaritur pagat e drejtorëve të drejtorive dhe të stafit tjetër, taksat që u merren qytetarëve nga pushtetarët është jo dreq e gjysmë, por dreq mbi dreq”, ka thënë mes tjerash asamblisti i LVV-së Hysni Mehani.

Në anën tjetër asamblisti Pajazit Isufi (AKR), duke mos bërë asnjë vërejtje në raportin e shpenzimeve, vetëm sa e sulmoi kolegun e tij nga LVV-ja, duke e quajtur atë si njeriun që sheh vetëm zi.

“Unë një koleges sime, që sot ka bërë betimin, i kam rekomanduar që gjërat t’i shohë ashtu siç janë e jo sikurse Hysnia, i cili gjërat i sheh vetëm zi”, tha Isufi.

E ndërkaq Mehmet Berisha, drejtor për Ekonomi e Financa, tha se te shpenzimet e derivateve hyjnë edhe veturat e QKMF-së, ndërsa në shumën e kategorisë së shpenzimeve për dreka zyrtare Berisha tha se janë përfshirë shpenzimet e manifestimeve të shkollave.

Kuvendi i Skenderaj vendosi edhe për themelimin e Inkubatorit të Biznesit me qëllim të nxitjes së ndërmarrësve potencialë për biznes.

Drejtoresha e Urbanizmit, Sanie Ahmeti, duke arsyetuar propozimin, tha se Inkubatori i Biznesit nxit inkurajimin e ndërmarrësve potencialë për biznes, ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit e veçanërisht sektorin privat, hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe rritjen e konkurrencës në biznesin vendor.

Siç ka shpjeguar drejtoresha Ahmeti, Inkubatori i Biznesit bëhet në vendin ku më përpara ka qenë tregu, në rrugën “Ilaz Kodra”, i cili sipas Ahmetit, “ofron ambient fizik dhe ambient biznesi për ndërmarrësit e rinj dhe atyre u ofron shërbime të përbashkëta në ndërmarrësi, qasje teknike dhe avancim profesional”.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz