back to top
Wednesday, September 10, 2025
BallinaLajmeNesër zhvillohen inspektime në Kozhle për dyshime mbi një varr masiv –...

Nesër zhvillohen inspektime në Kozhle për dyshime mbi një varr masiv – Komisioni për Persona të Zhdukur kërkon qasje në arkivat serbe

Të ngjajshme

Më 10 shtator 2025, në orën 10:00, do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, për të vlerësuar një lokacion ku dyshohet për ekzistencën e një varri masiv të viktimave nga lufta në Kosovë.

Ky hap vjen si rezultat i kërkesave të përsëritura të Delegacionit të Kosovës në kuadër të dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, transmeton lajmi.net.

Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është theksuar se ky lokacion është adresuar disa herë në takimet zyrtare me palën serbe, dhe gërmimet kishin qenë planifikuar edhe vitin e kaluar, por ishin ndërprerë pas përgatitjeve fillestare. “Ky është një prej rasteve që vazhdimisht e kemi kërkuar dhe që e kemi konsideruar me prioritet,” thuhet në njoftim.

Komisioni ka përsëritur thirrjen që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin e saktë të varrit dhe mbledhjen e provave për zbardhjen e rastit. “Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor,” thekson Komisioni.

Inspektimet do të përcillen nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit për Mjekësi Ligjore të Kosovës. Komisioni siguron se do të vazhdojë me përkushtim dhe këmbëngulje derisa të zbardhet fati i çdo personi të zhdukur.

Postimi i plotë: 

Njoftim
Më 10 shtator 2025, në orën 10:00, në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, do të zhvillohen inspektime në terren, në kuptim të vlerësimit të lokacionit, për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.
Ky zhvillim vjen si rezultat i kërkesave tona të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara.
Po ashtu, kërkesë e përsëritur mbetet që gërmimet në terren duhet të shoqërohen me të dhënat nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Vlerësimet në terren në këtë lokacion, do të përcillen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore.
Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe këmbëngulje, deri në zbardhjen e plotë të fatit të secilit person të zhdukur./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz