Të martën duke filluar nga ora 13:00 pritet të mblidhen krerët e gjitha partive politike, me ftesë të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, për të vazhduar diskutimet për arritjen e konsensusit politik për çështjet me rëndësi nacionale për vendin.
Ky takim vjen si vazhdimësi e takimit të parë që ka ftuar Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë, e ku përfaqësuesit e partive u pajtuan që të vazhdojnë edhe me tryeza të tjera.
Në takimin e kaluar, të gjitha partitë ishin pajtuar që një formë e tillë e takimeve do të vazhdojë, ku secila nga partitë do të thërras të paktën nga një takim.
Vetëvendosje kishte qenë e pranishme në takimin e thirrur nga LDK, por nuk dihet nëse do të pranojë të jetë prezent edhe në takimin e thirrur nga kryetari i PDK’së, Kadri Veseli.
Në takimin e së martës që do të mbahen në sallën C 301 në Kuvendin e Kosovës, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka propozuar që të diskutohet për çështjet më prioritare për shtetin, me theks të veçantë për Agjendën e Integrimeve Evropiane, Formimin e Ushtrisë së Kosovës, Reformën Zgjedhore; Fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Hartimin e Statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Veseli, ditë me parë, ka prezantuar edhe propozim-platformën për konsensus rreth këtyre temave.
Kreu i PDK-së u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në tryezën politike krerëve të partive politike dhe mësohet se deri tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen shumica e subjekteve politike. /gazetametro.net