Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do të dorëzojë detyrën e saj si kryetare e shtetit, me rastin e përfundimit të mandatit 5-vjeçar.
Me 71 vota pro, Osmani u votua si presidente më 4 prill të 2021-tës, teksa dy ditë më pas, mori zyrtarisht detyrën, shkruan IndeksOnline.
Në betimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidentja Osmani tha:
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia.”
Në mes të pandemisë së COVID-19, Osmani e pranoi detyrën nga ushtruesi i saj, Glauk Konjufca, në një ceremoni që u zhvillua në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ceremonia u mbajt me trupat e Togut Ceremonial të FSK-së, në prani të Konjufcës, atë botë kryetar i Kuvendit, kryeministrit Kurti, dhe një numri të vogël mysafirësh – për shkak të masave të pandemisë.
Dita e parë e marrjes së detyrës u zhvillua me aktivitete të shumta si takimi me xhudistët pejanë, nxënësit e Institutit ATOMI, FSK-në, homazhe në Prekaz, si dhe homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Megjithatë, Osmani ishte “njoftuar” me ambientet e Presidencës paraprakisht!
Nga 5 nëntori i 2020-s e deri në shpalljen zyrtare të saj, ajo ishte ushtruese e detyrës së presidentes.
Nga pozita e kryetares së Kuvendit – në të njëjtën në të cilën ndodhet sot Haxhiu – Vjosa Osmani mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.
Nesër, ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së presidentit do të zhvillohet në orën 16:00.
Në ambientet e Presidencës, Albulena Haxhiu do të marrë zyrtarisht ushtrimin e detyrës, të cilën Kushtetuta e parasheh të zgjasë 6 muaj.
6 muaj është maksimumi praktik që mund të zgjasë ushtrimi i detyrës së presidentit, por kompetencat do të jenë të kufizuara.
Megjithatë, në përkim me vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit i duhet që deri më 28 prill të zgjedhë presidentin e vendit./IndeksOnline/






