back to top
Wednesday, August 13, 2025
BallinaLajmeNëntë vatra zjarri aktive dhe 23 të arrestuar për zjarrvënie në Kosovë

Nëntë vatra zjarri aktive dhe 23 të arrestuar për zjarrvënie në Kosovë

Të ngjajshme

Italia në krizë turistike, plazhet janë bosh…

Italianët po shmangin shkuarjen në plazhe private këtë verë,...

Nëntë vatra zjarri aktive dhe 23 të arrestuar për zjarrvënie në Kosovë

Nëntë vatra zjarri janë aktive në gjithë Kosovën dhe...

Rama: Dënimin më të rëndë sipas ligjit për ata që ndezin zjarre qëllimisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi me anë të...

Nëntë vatra zjarri janë aktive në gjithë Kosovën dhe 23 persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme në javën e fundit, njoftuan zyrtarët të mërkurën.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, drejtor i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj, tha se Kosova po përballet me zjarre të shumta në të gjitha pjesët e vendit.

Sipas tij, vetëm në javën e fundit janë raportuar mbi 633 zjarre, prej të cilave tani janë aktive vetëm nëntë.

Ai tha se autoritetet “janë duke bërë përpjekje maksimale për të menaxhuar situatën dhe për ta parandaluar çdo pasojë nga situata e krijuar”.

Zjarret aktive janë në fshtarat Kuqicë, Gojbullë, Mirash, Tugjevc, Gmicë, Muçiverrcë, Negroc, Gadime dhe Vrellë, tha ai.

“Gjendja aktuale në vend qëndrueshme por e brishtë, si pasojë e temperaturave dhe zjarr vënieve të qëllimshme”, theksoi Metaj.

Ai nënvizoi se zjarret aktive janë vështirë të qasshme për zjarrfikësit, “sepse ndodhen në zona malore, në bjeshkë të thepisura, ku ndërhyrja është shumë e rrezikshme dhe pothuajse e pamundur”.

“Dje kemi pasur një rast në fshati Tugjec ku zjarrfikësit janë futur dhe janë ngujuar në mal, por me ndihmën e zjarrfikësve të tjerë janë nxjerrë nga aty. Pra, po rrezikohet jeta e zjarrfikësve dhe njerëzve”, shtoi ai.

Ndërkohë, gjendja më e rënduar këtë javë, sipas tij, ka qenë në fshatrat Kçiq i Vogël, Zasellë, Meshinë, Tugjec, Dumnicë, Merdarë dhe Orllan.

Ai tha se zjarret në këto vende, ku ka pasur dëme në infrastrukturë, janë lokalizuar edhe falë ndihmës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.

Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, tha në konferencën e përbashkët me Metajn se policia u është përgjigjur të gjitha rasteve të raportuara për zjarret.

“Deri sot kemi arrestuar 23 persona dhe kemi iniciuar 193 raste që kanë të bëjnë me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe për zjarrvënie”, tha ai.

Metaj tha se ka një rritje të zjarreve në muajin gusht të këtij viti krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar.

Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë.

Situatë e rënduar me zjarre është edhe në vendet fqinje.

Një person ka vdekur në Shqipëri, ku 30 zjarre janë aktive të mërkurën, sipas autoriteteve.

Në Mal të Zi është raportuar për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore. /REL/

- Advertisement -

Të Fundit