Në kuadër të edicionit të 54-t të manifestimit letrar, kulturor e trashëgimor “Takimet e Gjeçovit”, në Zym të Prizrenit, është bërë zbulimi i shtatores së Pjetër Bogdanit, duke rikthyer vëmendjen te figura historike dhe vlera e tij për identitetin kombëtar dhe kulturor, raporton Ekonomia Online. Në këtë ngjarje morën pjesë shkrimtarë, shkencëtarë, historianë, pedagogë, artistë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.
Hapja e manifestimit u bë nga kryetari i klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi”, Ndue Kajtazi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi mirëseardhje. Ai përmendi rreshtat e një poeti nga Gjakova për të nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vlerën e figurës së Pjetër Bogdanit për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Shkrimtari e publicisti Frok Kristaj tregoi arsyen e ngritjes së shtatores së Bogdanit në Zymë, ku tha se ishte amanet i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Ndërsa në vitin 1996 shënonim 25 vjetorin e takimeve të Gjeçovit, e kishim një praktikë që në vigjilje të manifestimit të shkonim te kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, ta njoftojmë për rendin e ditës. Pasi e njoftuam rrjedhën e manifestimit, ai u ngrit në këmbë. Ne u ngritëm duke menduar se përfundoi vizita, Rugova na tha: uluni dhe tha kur Kosova të pavarsohet ka bërë me dorë në drejtim të Zymit: dua ta shoh shtatoren e Pjetër Bogdanit në Zym”, tha ai.
Imzot Dodë Gjergji, në fjalën e tij, vuri theksin te dimensioni historik dhe kulturor i Bogdanit, duke e përshkruar atë si një figurë që ka shërbyer si “yll drite gjithmonë në histori” dhe që ka dëshmuar dashuri për atdheun, kishën dhe dijen.
Ai theksoi se Bogdani ishte njeriu i parë që përdori gjuhën shqipe jo vetëm për komunikim, por edhe për të zhvilluar një gjuhë të denjë për filozofi dhe teologji evropiane.
“E kujton një figurë e cila mbetet yll drite gjithmonë në histori dhe një person që ka ditur, ka dashur dhe ka dëshmuar dashurinë për atdheun, për kishën dhe sigurisht për dijen. Kur e zbulojëm bustin e Bogdanit, duhet të kuptojmë që Bogdani ishte njeriu i parë ndër ne i cili nuk e përdori gjuhën shqipe vetëm për të folur, por e bëri gjuhën tonë të denjë për filozofi të rilindjes evropiane dhe për teologji të kuptimit evropian mbi Zotin”, tha ai.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, lidhur me rëndësinë e rikthimit të shtatores për identitetin kombëtar, theksoi se kujtesa historike është themeli i së ardhmes. Ai argumentoi se një popull që nuk njeh të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhmen dhe se rikthimi i shtatores së Bogdanit është një mënyrë për të ndërtuar urën mes të kaluarës dhe të ardhmes.
“Është një thënie që thotë: një popull që nuk ka të kaluar nuk mund të ketë as të ardhme. Prandaj, duke e kthyer të kaluarën, duke kujtuar të kaluarën, ne po e ndërtojmë të ardhmen. Rikthimi i shtatores së Pjetër Bogdanit na tregon se ne dimë të nderojmë të kaluarën dhe, duke ndërruar të kaluarën, e ruajmë dhe rikthejmë një pjesë të identitetit tonë kombëtar edhe kulturor. Jeta dhe vepra e tij duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për orientim të drejtë në momentin aktual politik ku gjendemi”, tha ai.
Gjatë ditës së dytë të manifestimit u diskutua edhe tema “Si lindi ideja e ngritjes së shtatores së Pjetër Bogdanit në Zym”, u mbajt ora letrare “Anton Pashku”, u dorëzuan plaketa “Pjetër Bogdani” dhe çmimi “Unaza e Katit”. Në kuadër të programit kulturo-artistik performuan AEK “Katarina Josipi” nga Zymi dhe Ansambli “Pjetër Bogdani” – Krumë.
Ngjarja u organizua nga klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, duke rikthyer vëmendjen e publikut te trashëgimia letrare, kulturore dhe historike e shqiptarëve.

