Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për personat me nevoja të veçanta.
Ky votim ishte realizuar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve gjatë ditës së zgjedhjeve, dhe numërimi i tij u finalizua sot, të mërkurën më 22 tetor 2025, në ora 20:30 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), raporton lajmi.net
Rezultatet nga ky proces janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve të KQZ-së: resultslocal2025.kqz-ks.org, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”.
Ndërkohë, në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit për 16 kuti votimi që u përkasin 12 vendvotimeve të ndryshme në komunat: Deçan, Gllogoc, Gjilan, Lipjan, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Suharekë.
KQZ njoftoi gjithashtu se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen vetëm pasi të merret konfirmimi nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme, se nuk ka më ndonjë çështje zgjedhore në trajtim./Lajmi.net/