Prej disa vjetësh në arrati, shqiptari i njohur me nofkën “Ganiu” vazhdon t’i shpëtojë drejtësisë, ndërsa autoritetet e lidhin emrin e tij me një nga ngjarjet më të rënda kriminale në Qipro.
Autoritetet atje vazhdojnë kërkimet për të, i identifikuar si Aleks Burreli, i njohur gjithashtu me nofkën Gani Burelli, i dyshuar për përfshirje në krime të rënda, përfshirë vrasje dhe zjarrvënie me dashje, transmeton IndeksOnline.
Sipas të dhënave zyrtare, Burreli është mashkull, me gjatësi rreth 178 cm, sy ngjyrë kafe dhe i lindur më 1 shkurt 1968. Ai është nga Shqipëria dhe rasti i tij mbetet ende nën hetim nga autoritetet qipriote.
Ngjarja kryesore për të cilën ai kërkohet daton më 23 qershor 2016, rreth orës 22:10, në Ayia Napa. Sipas raportimeve, Burreli së bashku me një bashkëpunëtor, të maskuar me kapuça, hynë në një restorant të armatosur me pistoleta dhe armë automatike.

Gjatë sulmit, ata vranë tre persona: një biznesmen, një oficer policie dhe bashkëshorten e tij, ndërsa plagosën rëndë një polic tjetër dhe një person të pranishëm në vendngjarje. Ngjarja ndodhi në prani të dy fëmijëve të mitur të viktimave.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, bashkëpunëtori i Burrelit u qëllua për vdekje në vend, ndërsa vetë i dyshuari arriti të arratisej me një automjet, i cili më vonë u gjet i djegur.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i dyshuari kishte planifikuar edhe vrasje të tjera në Qipro, si pjesë e të njëjtit grup kriminal që organizoi sulmin në Ayia Napa./IndeksOnline/