Gjatë një bisede për letërsinë në një nga kafiteritë shumë të frekuentuara të Prishtinës nën re të dendura tymi nga pakoja e cigareve që soseshin shpejt e shpejt, të shoqëruara me shijen e kafesë dhe një ritëm herë-herë të rrëmbyeshëm bisedash e herë më të qetë, kujton poeti Agim Vinca një thënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhënë gazetës “Drita” në vitin e largët 1973 ” Ditën që shkrimtari pandeh se ka arritur përsosmërinë le ta shpallë lirisht ditë zie”.
Aso kohe “Sintagma “Shkrimtari i madh” për Ismail Kadarenë tashmë kishte gjetur aprovim pothuajse nga të gjithë, jo vetëm nga adhuruesit e vërtetë të veprës së tij, edhe nga ziliqarët madje, edhe nga pushtetarët.
Mbase epiteti “Shkrimtar i madh” tashmë ishte bërë i zakonshëm për të dhe shpejt kishte shpërthyer edhe muret që kishte vënë diktatura në Shqipëri.
Këmbana e muzës së tij ndihej përtej këtyre mureve, edhe në Paris, Berlin e gjetkë nëpër oborret e aristokracisë letrare evropiane.
Mbase i stisur nga dashuria për artin në vazhdimësi kam kërkuar si nga Letërsia botërore, ashtu edhe nga letërsia shqipe të gjej ndonjë poezi, afër përkryerjes, diçka që është shumë përmbushëse, përtej çdo pritjeje, ndoshta po kërkoja të pamundurën, mbase Ismail Kadare ka pasur të drejtë.
E përkryera si duket është e përtejshme, diçka si koha, një vazhdimësi e pafund apo ky pohim ishte një gjykim i ashpër kundrejt egos jo vetëm të një shkrimtari, por në përgjithësi kundër egos njerëzore apo thjesht e përkryera nuk ekziston.
Përgjithësisht shumica e poetëve edhe të Letërsisë botërore edhe asaj shqipe vështirë është që në krijimtari të tyre të jenë të gjitha poezitë të arrira, ka poezi me nivele të larta, por ka edhe poezi që nuk kalojnë pragun e shtëpisë apo të një lagjeje.
Më është kujtuar një mendim për poezinë i Ali Podrimjes ai sikur e kërkon nën tekst poezinë përkryer mjafton kjo fjali e tij për të kuptuar dëshirën e tij për artin e përkryer “Në letërsinë botërore ka mbetur poet i madh vetëm me një poezi” apo bohemin Tahir Deskun i cili në një poezi thotë “poezia më e mirë ende nuk është shkruar”.
Mahnitës është edhe mendimi i nobelistit Orhan Pamuk, i cili thotë: “unë mora lapsin për të shkruar poezi, e prita Zotin që të më diktojë, Ai s’më diktoi dhe unë kurrë më nuk u mora me poezi”.
Po t’i shikojmë zhanret e artit poetik që nga antikiteti deri në ditët tona tre janë temat që janë trajtuar nga poetët lirikë, epikë dhe dramatikë: lirika zë fill qysh nga miti i Orfeut ku me artin e tij i bëri gjërat e tij të pabesueshme kushtuar eurodikës së tij ; nuk po ndalem në zhanret e tjera, në këtë shkrim do të flasim vetëm për poezinë lirike, pastaj Petrarka për Laurën që njihej si baba i poezisë evropiane, Dante për Beatriqen, si dhe shumë të tjerë që kanë mbetur si model në letërsinë e përgjithshme se si i këndohet të bukurës, dashurisë nevojë e jashtëzakonshme për lumturinë njerëzore, ku Borgesi do të thotë vetëm bukuria të falë lumturi të përjetshme apo Albert Kamy pasi vjen në përfundim se jeta
është absurde ku për mposhtjen e absurdit duhet revoltë, ai do të shtojë “s’ka revoltë pa dashuri”. E zgjata këtë shkrim për të ardhur tek poetët tanë të letërsisë shqipe duke filluar nga Agolli, Kadare, Arapi, Vinca, Podrimja, Shkreli, Dedaj, Hamiti, Shala, poetët bohemë Tahir Desku dhe idhulli i poezisë Mirko Gashi, për të përfunduar te poeti ynë botëror princi i poezisë, liriku më i madh Lasgush Poradeci.
Mjafton të përmendim vetëm tri vargjet e poezisë “Vdekja e Nositit” analizë kjo nga Sabri Hamiti me titull “Vdekja e ëmbël”
Pa nise ah! Gjirin ta godas…
Dh’e hap ah! Gjirin me një qas…
Dh’i nginj ah! Zogjtë-e vdes me gas!..
Sabri Hamiti thotë: “Vargu qendror në këtë poezi është rreshti i tretë i kësaj strofe, ngase kjo vdekje është vdekje e ëmbël, vdekje për një ideal dhe shton më tej dhe vetëm nëse arrihen këso lloj vdekjeje, vdekja mund të bëhet a pavuajtur, prandaj Nositi vdes me gas”.
Lexo edheFadil Nura: “Mbretëreshat e Skenderajt” takon volejbollistët pas fitimit të kupës
















