Bashkimi Evropian përmes projektit të IPA-së, ka sjellë në gjimnazin e qytetit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” kabinetin e teknologjisë informative me dhjetëra kompjuter për nxënësit e kësaj shkolle për t’i ndihmuar dhe lehtësuar ne teknologjinë e informacionit dhe mësimin elektronik në arsim.
Ky projekt është financuar nga BE-ja përmes fondeve të IPA-së dhe është bashkë financuar edhe nga Ministria e Arsimit, ndërsa është realizuar në kuadër të memorandumit të nënshkruar mes Drejtorit të Arsimit, z. Sadik Tahiraj dhe përfaqësuesve të BE-së.
“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe mësimi elektronik në arsim” synon ofrimin e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve të TIK-ut dhe mësimit elektronik në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, po ashtu ky projekt është edhe për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në ngritjen e cilësisë së efiçiencës së arsimit dhe trajtimit përmes integrimit të TIK-ut.
Drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, z. Valdet Istogu, ka falënderuar BE-në, IPA-në, MASHT-in dhe Drejtorinë e Arsimit, që kanë përkrahur këtë projekt dhe ka vlerësuar se salla e teknologjisë së informacionit do të ndihmojë nxënësit të praktikojnë dhe mësojnë me standarde të bashkëmoshatarëve të tyre evropian. /Drenica Press/