Gjashtëqind mijë tonë. Kaq qymyr nxjerr përafërsisht Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në muaj.
Por, kjo sasi e nxjerrë e e përpunuar dhe transformuar në energji elektrike, nuk ka mjaftuar në dimrat e fundit për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve në Kosovë.
Kjo, pasi që pothuajse gjithë barrën për furnizim me energji elektrike e mbajnë mbi supe dy termocentralet e vjetruara, Kosova A dhe Kosova B.
Një inxhinier i KEK-ut tregoi për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht se a nxirret më shumë qymyr nga miliarda tonët në dispozicion, dy termocentralet nuk kanë kapacitet të prodhojnë më shumë rrymë.
Rreth dy dekada më parë, Kosova planifikonte të ndërtonte një termocentral të ri, Kosovën e Re, për ta shtuar prodhimin. Por, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga projekti në vitin 2018 dhe dështimit të marrëveshjes me Countour Global në vitin 2020, ky projekt nuk u realizua.
Për Faruk Foniqin, ekspert i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe i Teledetektimit (Remote Sensing), Kosova duhet ta synojë tashmë rehabilitimin nga varësia prej thëngjillit.
Këtë kërkesë të tij ai e arsyeton me pasojat për shëndetin publik, ndotjen e ajrit përmes lirimit të grimcave të imëta dhe gazrave serrë, ndotjen e tokave bujqësore, ujërave nëntokësore etj.
“Ky është një model i vjetruar i energjisë, që është shumë ndotës dhe i dëmshëm”, thotë Foniqi për REL-in.
Në linjë me këtë, në 2020-tën, Kosova u bë një nga vendet që nënshkruan Deklaratën për Agjendën e Gjelbër, duke u zotuar që deri në vitin 2050 të jetë plotësisht e dekarbonizuar – pra të prodhojë energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, si: era, dielli dhe uji.
Por, e tërhequr nga projekti për një termocentral të ri të thëngjillit e pa projekte për rritje domethënëse të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, Kosova, aktualisht, mbështetet në import për të mbuluar kërkesat.
Kjo gjë, sipas Dardan Abazit, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), nuk është detyrimisht problematike.
“Ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm as për domate, as për patate, as për naftë. Nuk do të jemi as për energji”, thotë ai për REL-in.
Sipas Abazit, problemi qëndron te varësia nga një prodhues i vetëm i energjisë: KEK-u.
Ai thotë se Kosova duhet të ecë përtej idesë që shteti ta prodhojë, shpërndajë e faturojë energjinë vetë.
“Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ofron një avantazh të jashtëzakonshëm KEK-ut dhe asnjë furnizues tjetër nuk mund të hyjë realisht në treg”, thotë Abazi.
Kështu, ai propozon një lloj liberalizimi të tregut të energjisë dhe integrim në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, ku mund të arrihet një traktat për bashkëpunim me Shqipërinë.
Shqipëria, që prodhon energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, është kryesisht e varur nga hidrocentralet.
Nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, Kosova është më së shumti e varur nga qymyri.
Foniqi, gjeograf, tregon se Kosova ka potencialin kryesor për prodhim të energjisë diellore nëpër zonat ku tokat bujqësore janë të një cilësie më të ulët.
Ai sheh potencial edhe në prodhimin e energjisë përmes turbinave të erës, por thekson se zonat kryesore me kapacitet më të madh për prodhim janë ato ku shtrihen parqet kombëtare. Ai thotë se, megjithatë, kjo s’duhet ta pengojë zhvillimin e parqeve të erës.
Kosova ka realizuar vetëm një ankand përmes të cilit ka synuar realizimin e një parku solar me kapacitet prodhimi prej 100 megavatesh në orë, në Kramovik të Rahovecit, në jug të Kosovës. Projekti ende nuk është finalizuar.
Ndërkohë, janë finalizuar dy parqe të erës, në Kamenicë dhe në Bajgorë, ndërsa potencial është parë edhe në Çyçavicë, Zatriq, Budakovë dhe Kozhicë.
Por, kjo nuk është e mjaftueshme për të ecur drejt dekarbonizimit më 2050, sipas Abazit nga INDEP-i.
Ai kërkon që sa më shpejt të hartohet dhe miratohet në Kuvend Strategjia Dalëse nga Qymyri dhe të miratohet Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë.
Fillimisht, thekson ai, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një plan të qartë për afatet kohore drejt këtij synimi.
“Nuk mund të mendojmë të shkojmë deri më 2050 me thëngjill dhe pastaj të zgjohemi një të hënë, në mëngjes, dhe të themi që nga sot s’do të përdorim thëngjill”, thotë Abazi.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje për këtë çështje te Ministria e Ekonomisë, në kuadër të së cilës funksionon Departamenti i Energjisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Tash e një vit, Kosova funksionon me qeveri në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar i fitoi sërish LVV-ja, me përkrahje mbi 50 për qind.
Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike për familjet që janë konsideruar të cenueshme dhe për ata që kanë kursyer, mirëpo statistikat tregojnë se është një pjesë e vogël e konsumatorëve që shpenzojnë një pjesë të madhe të energjisë, pa e kursyer atë.
Kjo ministri publikoi vetë disa të dhëna që tregonin se, në janar të vitit 2025, rreth 30 për qind e gjithë energjisë së konsumuar në Kosovë shpenzohej nga 9 për qind e konsumatorëve.
Problem kyç vazhdon të mbetet ngrohja gjatë muajve të dimrit, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës varen nga ngrohja përmes energjisë elektrike.
Sipas Abazit, kjo do të thotë se investimet shtetërore duhet fillimisht të foksuohen në efiçiencë të energjisë dhe, pastaj, konsumatorët privatë të jenë edhe vetë të përfshirë në prodhim të energjisë.
Si mund të bëhet kjo? Për shembull, duke vendosur panele solare, që transformojnë rrezet e diellit në energji elektrike, në kulmet e shtëpive.
Hasim Gashi, nga kompania Muqa Solar Company, tregon se shumë konsumatorë që prodhojnë energjinë që shfrytëzojnë përmes paneleve solare në shtëpi, veçanërisht gjatë verës, paguajnë vetëm tarifën prej 3 eurosh për kyçje në rrjetin e energjisë.
Ndërsa, gjatë dimrit, ai thotë se për bizneset dhe individët me të cilët bashkëpunojnë, mbulueshmëria e konsumit përmes energjisë nga panelet solare sillet rreth 50 për qind.
Në vitet e fundit, kur çmimi i energjisë elektrike është rritur vazhdimisht, Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka ofruar mbulimin e një pjese të kostos së instalimit të paneleve solare nëpër shtëpi.
“Ka pasur diçka, por janë vlera tepër të vogla dhe jostimuluese. Edhe ka pasur disa pengesa gjatë marrjes së lejeve dhe licencave. Është punuar domethënë, por jo mjaftueshëm”, thotë Gashi për REL-in, duke theksuar pengesat burokratike në proces.
Sipas të dhënave të Zyrës së Bashkimit Evropian për Statistika (Eurostat) nga tetori i vitit të kaluar, vetëm rreth 18 për qind e qytetarëve të Kosovës thonë se janë të mirinformuar me problemet që lidhen me ndryshimet klimatike.
Edhe pse kjo është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian (23 për qind), kosovarët shprehen më të gatshëm për fokusimin e energjisë në burime të ripërtëritshme.
Në mesin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë hyn edhe ajo e prodhuar nga hidrocentralet. Megjithatë, ky burim ka hasur në më shumë rezistencë nga banorët lokalë dhe ambientalistët.
Ankesat kryesore nxiten nga dëmet që u janë shkaktuar lumenjve dhe zonave përreth hidrocentraleve të ndërtuara. Rasti i hidrocentralit të ndërtuar në Deçan kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese, për shkak të parregullsive në lejet e dhëna për operim.
Xhevat Ahmetaj, menaxher i përgjithshëm i hidrocentralit në Radac të Pejës, thotë se kapaciteti i Kosovës për të prodhuar energji nga hidrocentralet është i ulët.
Megjithatë, ai shton se qytetarët duhet ta kenë një gjë në mendje: që hidrocentralet duhet të lejohen të funksionojnë duke respektuar rregullat e operimit ashtu që të mbrohet mjedisi.
Sipas tij, prodhimi i rrymës përmes hidrocentraleve duhet të shihet thjesht si “disa lopata më pak thëngjill në termocentrale”.
“Në Kosovë shfrytëzohet kryesisht uji i të reshurave të shiut dhe kur shkrihet bora. Ne këta ujëra i shohim vetëm duke na vërshuar në qytete. Ai është uji që duhet të shfrytëzohet për prodhim të energjisë”, thotë Ahmetaj për REL-in.
Por, Foniqi, i cili ka analizuar të dhënat e reshjeve në Kosovë, thotë se shumica e lumenjve në vend nuk kanë rrjedhë konstante të mjaftueshme për prodhim të energjisë, për shkak se reshjet tani janë sporadike.
Për këtë arsye, ai thekson se fokusi duhet të jetë tek energjia solare dhe ajo e erës.
“Hidroenergjinë mund ta shohim si burim ndihmës, jo si zgjidhje kryesore për sistemin energjetik. Ajo ka përparësi sepse prodhon energji me emetime të ulëta dhe ndihmon në stabilizimin e rrjetit, por njëkohësisht Kosova është vend me burime ujore të ndjeshme dhe të paqëndrueshme”, thotë Foniqi.
Ai shton se si hidrocentrale mund të funksionojnë, në kapacitet të ulët, vetëm disa prej atyre që kanë nivel më të madh të ujit, si ai i Radacit.