Pasi iu është rrëzuar mocioni sipas Rregullës 130 që parasheh kërkesë për rrëzimin e një apo disa akuzave në aktakuzë, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë njoftuar se nuk do të thërrasin dëshmitarë.
Ndryshe, nga Selimi dhe Veseli, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se ata do të thërrasin dëshmitarë.
Katër ekipet e mbrojtjes e njoftuan trupin gjykues për qëndrimet e tyre më 16 korrik 2025.
“Në përputhje me Urdhrin e Panelit Gjyqësor dhe në pajtim me Rregullën 119 (1) të Rregullave, Mbrojtja për z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) njofton për qëllimin e saj për të paraqitur një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Thaçit, e ngjashëm edhe në atë të Krasniqit.
Kurse, në parashtrimin e tyre, Veseli dhe Selimi kanë treguar se kanë hequr dorë nga kjo e drejtë e tyre.
“Mbrojtja njofton këtu Panelin dhe Prokurorinë se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes, dhe se z. Veseli nuk ka ndërmend të japë dëshmi në mbrojtjen e tij…Prandaj, në përputhje me Rregullën 119 (1) dhe urdhrin e Panelit Gjyqësor, Mbrojtja për z. Selimi njofton se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në dy parashtrimet të dorëzuar ndaras nga mbrojtja e Selimit dhe e Veselit.
Trupi gjykues në këtë çështje më 16 korrik 2025 marrë vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi