Shkruan Milazim KRASNIQI
Lidhja e Prizrenit është ngjarja më e rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve sepse i nxjerrë për herë të parë qartë kërkesat politike e kulturore të shqiptarëve për të krijuar identitetin kombëtar e rrjedhimisht edhe shtetin kombëtar shqiptar. Programi i saj kryesor filloi si program politik dhe format e organizimit si një organizatë politiko-ushtarake. Këtë model të organizimit e imponuan ngjarjet që u zhvilluan në Perandorinë Osmane (imponimi nga ana e Rusisë i Traktatit të Shën Stefanit, që copëtonte territoret shqiptare) dhe Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i cili edhe legjitimoi gllabërimin e tokave të banuara me shqiptarë nga shtetet e reja ballkanike, Serbia e Mali i Zi. Pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, si organizatë politike-ushtarake, shqiptarët iu kthyen organizimit kulturor, duke gjetur hapësira të reja të mobilizimit kombëtar e të afirmimit të ideve komb-formuese e shtet-formuese.
Ky rend i lëvizjeve në kuadër të Rilindjes Kombëtare, fillimisht si lëvizje politiko-ushtarake e më vonë kulturore, ishte i imponuar nga rrethanat e pafavorshme me të cilat u ballafaquan shqiptarët në shekullin XIX. Natyrisht, mobilizimi politik e ushtarak në atë përmasë kombëtare ka qenë i frymëzuar edhe nga frytet e lëvizjes kulturore që ekzistonte edhe më herët në gjirin e lëvizjes, por që ishte më e zbehtë dhe në një proces më të ngadaltë konsolidimi. Zhvillimet politike ndikuan si katalizatorë edhe për dinamizmin e lëvizjes kulturore shqiptare. Urgjenca e zhvillimeve politike ia imponoi edhe lëvizjes kulturore tonin dhe tematikën kryesore që do të trajtohej prej saj. Ishte fjala për një reagim urgjent, ndaj faktorëve të jashtëm që po e kërcënonin kombin shqiptar me zhbërje. E para, pasi Perandoria Osmane u detyrua pas disfatës në luftën ruso-turke që të pranonte projektin rus të emërtuar si Traktati i Shën Stefanit (1877), kjo u përjetua si rrezik direkt për shqiptarët. Lëshimet territoriale të cilat po i bënte Perandoria Osmane në favor të krijimit të një shteti të madh bullgar, përfshinin një hapësirë të madhe të territoreve shqiptare. Traktati parashihte që Bullgarisë t’i jepej Maqedonia e sotme, Kosova deri në Sharr, Shqipëria e mesme, duke u zgjatur deri në bregdetin e sotëm shqiptar. Fuqitë e Mëdha evropiane nuk kanë pasur si ta pranonin këtë projekt, pasi që me të Rusia do të merrte zemrën e Ballkanit.
Si rezultat i refuzimit të Fuqive të Mëdha ndaj Traktatit të Shën Stefanit, në qershor të vitit 1878 u organizua Kongresi i Berlinit, në të cilin u anuluan vendimet e Traktati i Shën Stefanit. Edhe pse nuk u pranua krijimi i Bullgarisë së Madhe, sipas projektit rus, në Kongresin e Berlinit u bë një vizatim i ri i hartave të Ballkanit, që rezultoi me pavarësinë e Serbisë e Malit të Zi dhe me pranimin e një Bullgarie autonome. Shqipëria e Kosova bashkë me Maqedoninë e sotme mbeten edhe më tutje nën Perandorinë Osmane. Me një fjalë, Kongresi i Berlinit ligjësoi riorganizimin e territoreve shqiptare në favor të fqinjëve ballkanikë, ndërsa Perandoria Osmane u tregua e paaftë që të mbronte tërësinë e saj formale. Prandaj, kjo është periudha kur shqiptarët e kuptuan përfundimisht që Perandoria Osmane më nuk ishte e aftë për t’i mbrojtur, prandaj ata e intensifikuan organizimin politiko-ushtarak dhe kulturor, i cili merrte përsipër mbrojtjen e territoreve të veta me anën e fuqisë së vetë shqiptarëve. Ky ishte faktori i jashtëm që shqiptarët i kishte detyruar të lëviznin nga status-kuoja, ku kishin qëndruar gjatë.
Faktorët që ndikuan në formimin
e Lidhjes së Prizrenit
Faktor i brendshëm shqiptar për ta formuar Lidhjen e Prizrenit ka qenë formimi i një elite shqiptare, e cila edhe pse ishte formuar në gjirin e Perandorisë Osmane, mori një kurs të fortë kombëtar, në kohën kur u shpërfaqën dobësitë e Perandorisë Osmane dhe kur u rriten pretendimet e kombeve fqinje, serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve, për të grabitur tokat shqiptare. Në gjirin e kësaj elite kishte diplomatë, profesorë, shkrimtarë, ushtarakë, etj., të cilët kishin mbërritur në kulmin e karrierave të tyre dhe në fazën që ishin, kishin vetëdijesimin se duhej të bënin diçka më shumë për atdheun e për kombin e vet. Ndër ta veçohen Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Petro Poga, etj. Aktiviteti më i rëndësishëm i këtij grupimi intelektualësh u zhvillua në asociacionin “ Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip (tetor 1879) ose “Shoqëria letrare” a “Shoqëria e Kostandinopojës”, sikundër i emërton Mid’hat Frashëri. Ky ishte një organizim kulturor legal, i cili kishte lejen e veprimit nga autoritetet osmane. Nga aktivitetet e kësaj shoqërie kulturore e atdhetare, u realizua botimi i librave shkollorë, botimi i revistës letrare “Drita” (përkatësisht “Dituria”) e u iniciua edhe studimi i gjuhës shqipe. Alfabeti që përdorej nga kjo shoqëri ishte alfabeti latin, gjë që trasoi rrugën dhe e lehtësoi miratimin e alfabetit latin në Kongresin e Manastirit të vitit 1908.
Mid’hat Frashëri pohon:
“Shoqëria letrare zhvilloi një veprimtari mjaft të madhe për të përhapur mësimin në gjuhën shqipe dhe për ta bërë praktike studimin e gjuhës kombëtare.”
(Kulla: 132)
Përderisa pikat kryesore të programit të Shoqërisë letrare ishin kultivimi dhe studimi i gjuhës shqipe, përgatitja e librave për shkolla në gjuhën shqipe, pikat kryesore të programit të Lidhjes së Prizrenit, në sfondin e procesit të rrezikshëm të copëtimit të territoreve shqiptare, kishin qenë: ruajtja e tërësisë territoriale të gjithë territoreve të tokave shqiptare, duke u përfshirë në një vilajet (entitet) të vetëm ngritja e gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare, kryerja e shërbimit ushtarak brenda territoreve shqiptare (përveç në raste të luftërave) e kështu me radhë. Lidhja pati organizuar edhe njësitë ushtarake për mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe të Ulqinit.
Është me rëndësi të theksohet se Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit është mbajtur tre ditë para fillimit të punëve të Kongresit të Berlinit. Pra, ishte një ngjarje që ka pasur synimin t’i paraprijë një ngjarjeje për ta bërë me dije se ekzistojnë shqiptarët dhe se kanë kërkesat e tyre politike. Por kryetari i Kongresit të Berlinit, Otto von Bismark, citohet të ketë thënë se Shqipëria është vetëm një nocion gjeografik. Për shkak të raportit të pafavorshëm të forcave, Lidhja për fat të keq nuk i përmbushi objektivat e veta, mirëpo, rezultati më i madh i saj ka qenë që megjithatë ka mbërritur ta ndërkombëtarizojë çështjen e shqiptarëve dhe pas aktivitetit të Lidhjes, as Bismarku dhe askush tjetër nuk kanë mundur të thotë se fjala Shqipëri ekziston vetëm si një nocion gjeografik. Lidhja e Prizrenit i ka kompaktësuar shqiptarët deri në njëfarë mase pavarësisht prej përkatësive fetare dhe rajonale. Ka qenë një Lidhje në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë pa marrë parasysh përkatësitë, e cila ka ndikuar në formimin e kombit shqiptar mbi një koncept të gjuhës, prejardhjes dhe historisë së përbashkët. Ky është rezultati më i madh që ka realizuar Lidhja e Prizrenit. Pra, që ka krijuar bazat ideologjike e kulturore të formimit të kombit e të shtetit shqiptar. Rilindësit tanë kanë qenë vizionarë. Nëse marrim për analogji mënyrën e formimit të kombeve fqinje ballkanike, serbëve, kroatëve e boshnjakëve, shohim se ata ndoqën rrugën e ndarjes në vija fetare, edhe pse gjuhën, historinë e hershme dhe prejardhjen etnike i kishin të përbashkëta. Tek shqiptarët kjo për fat të mirë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ka ndodhur bashkimi dhe kompaktësimi në idenë e një kombi unik në bazë të historisë, gjuhës, kulturës, prejardhjes së përbashkët dhe kjo është njëra prej meritave më të mëdha që ka pasur Rilindja Kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit që si e tillë është lëvizje që ka vënë themelet e kombit shqiptar.
Mbi këtë ideologji kombëtare janë formuar edhe mediat dhe shtypi shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Pra, janë media dhe është një shtyp, i cili e ndjek në masën më të madhe këtë ide kombëtare të formimit të kombit dhe të shtetit mbi parimet e gjuhës, historisë, prejardhjes së përbashkët dhe vlerave që i kanë formuar Lidhja e Prizrenit dhe ideologët e saj. Tashmë kërkesat politike dhe kulturore të shqiptarëve ishin të artikuluara në atë mënyrë që tregonin se ishte formësuar një komb i veçantë, me kërkesa të veçanta politike dhe kulturore. Normalisht, edhe shtypi shqiptar i asaj periudhe ishte në masën më të madhe zëdhënës i këtyre kërkesave politike dhe kulturore kombëtare dhe si i tillë padyshim ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në afirmimin e këtyre kërkesave dhe në kompaktësimin politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Pra, shtypi ka qenë thjesht një mjet, në duart e elitës politike dhe intelektuale shqiptare në luftën e saj për identitet dhe shtet kombëtar.
Fryma romantike e publicistikës
së Rilindjes Kombëtare
Një element i rëndësishëm që ka ndikuar në natyrën e shtypit shqiptar të asaj periudhe të Rilindjes, ka qenë se shtypi ka bashkëjetuar me frymën e Romantizmit, si një lëvizje letrare dhe kulturore, e cila në fokus të vetin kishte pikërisht afirmimin e vlerave kombëtare, krenarinë me të kaluarën, kultit për gjuhën e për atdheun. Prandaj, kemi të bëjmë me një shtyp që brenda vetes ka një simbiozë interesante, një shtyp që është mjet politik dhe armë ideologjike e çastit konkret jetësor e në të njëjtën kohë brenda vetes i ka disa elemente stilistike të romantizmit ëndërrimtar. Prirjet e Pashko Vasës, të Sami Frashërit, të Abdyl Frashërit, po edhe të tjerëve për ta glorifikuar të kaluarën e lashtë, prejardhjen pellazge të shqiptarëve, për të treguar se shqiptarët kanë epërsi ndaj të gjithë popujve të tjerë, se i kanë bërë shërbime të mëdha Evropës e kështu me radhë, janë projeksione romantike në esencën e tyre, sepse përmes tyre thjesht bëjnë përpjekje ta zmadhojnë rëndësinë dhe vlerën e kombit shqiptar. Kështu që gazetaria shqiptare e periudhës së Rilindjes, në një farë mënyre bashkëjeton me letërsinë romantike, sepse kanë dhënë dhe kanë marrë njëra prej tjetrës. Kjo është një karakteristikë e stilit të saj dhe e përmbajtjes së një pjese të madhe të gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes, pra, të periudhës së shek. XIX.
Karakteristika kryesore e shtypit shqiptar të periudhës së Rilindjes është se është zhvilluar kryekëput në diasporë. Pra, të gjitha gazetat, revistat e përkohshme që kanë dalë prej vitit 1848 deri më 1912, janë botuar jashtë Shqipërisë. Arsyet se përse kështu ka ndodhur janë të shumta por ne do të fokusohemi vetëm në një aspekt qenësor të kësaj, dhe kjo ka të bëjë në fakt me krijimin e një elite shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, e cila aktivitetin e vet e realizonte në qytetet e mëdha të Perandorisë Osmane, e më vonë edhe në qytetet e mëdha të shteteve të reja ballkanike, që u krijuan, po edhe të atyre evropiane. Kjo lidhet thjesht me statusin dhe fatin e tyre. Shumica e ideologëve të Rilindjes Kombëtare, duke përfshirë Hoxha Hasan Tahsinin, Pashko Vasën, Abdyl, Sami e Naim Frashërin, Koto Hoxhin, Petro Pogën, Jani Vreton, etj, kanë jetuar në Stamboll, në Liban, ose në Egjipt, pra në qytete apo metropole të mëdha që ishin pjesë e Perandorisë Osmane ose që kishin qenë pjesë e saj.
Larmia gjuhësore si qëllim strategjik
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj ka të bëjë me qëllimin e tyre parësor, që të ndikojnë mbi opinionin publik të vetë Perandorisë Osmane, por edhe të shteteve tjera evropiane në mënyrë që të kuptoheshin më mirë kërkesa politike dhe kulturore të shqiptarëve. Shumë prej këtyre personaliteteve, tekstet e veta i kanë shkruar në gjuhë të tjera, frëngjisht, greqisht, turqisht, arabisht, gjermanisht, e kështu me radhë, sepse qëllimi i tyre ishte që të komunikojnë me opinionin publik të atyre shteteve në të cilët ata jetonin ose me diplomacinë të cilët merreshin me çështjen shqiptare.
Një karakteristikë tjetër e shumë revistave të asaj kohe ishte se, kanë qenë ose dy gjuhësore ose tri gjuhësore, pra dilnin edhe në shqip, por paralelisht edhe në një ose dy gjuhë të tjera dhe kjo prapë inkuadrohet në këtë ide të pasjes mundësi të komunikohet me edhe me ata që nuk dinë shqip, por që flasin gjuhë të tjera. Normalisht, këtë mundësi të komunikimit në gjuhë tjera, shumicës së këtyre intelektualëve ua ka mundësuar fakti që ata kanë qenë intelektual të formatit të lartë, kanë ditur shumë gjuhë, jo vetëm t’i flasin por edhe t’i shkruajnë dhe kjo u ka mundësuar që të shkruajnë edhe në gjuhë të tjera. Fjala vjen, Hoxha Tahsini, ka folur dhe ka shkruar njëmbëdhjetë gjuhë paralelisht, pra, ka qenë një poliglot, i cili nuk e ka pasur vështirë që të komunikojë në cilëndo prej 11 gjuhëve.
Në realitetin e zvogëluar, në horizontin e ngushtuar kulturor, ne sot na duket e çuditshme që njerëzit e asaj periudhe kanë pasur aso aftësish, që të flasin aq shumë gjuhë, por në kushtet e një aktiviteti politik, kulturor, intelektual, në një perandori siç ka qenë Perandoria Osmane, edhe në rritjen e komunikimeve siç ka qenë periudha e shek. XIX dhe XX, kjo duket një gjë shumë e natyrshme, aq më tepër që shumica e tyre kanë qenë diplomatë dhe njerëz që tërë jetën janë marrë me punë intelektuale.
Gazetari shqipe e mërgatave
Aktivitetet në diasporë, duke përfshirë edhe mediat, janë zhvilluar në kuadër të kolonive shqiptare, të cilat kanë qenë të shpërndara në shumë vende të botës. Gjeografia e këtyre botimeve është mjaft e gjerë, sikundër që ngulimet e shqiptarëve në territorin dhe ish territorin e Perandorisë Osmane po edhe jashtë saj, ishin të shumta e shumë të përhapura. Aktivizimi i mediave nëpër shumë ngulime shqiptare gjithandej botës, është tregues i një aktivizimi që solli Rilindja Kombëtare, brenda së cilës shumë individë dhe grupe e ndjenë të nevojshme të angazhoheshin për të afirmuar kërkesat e kombit të vet. Nga një përllogaritje e bërë nga autorët Boriqi e Marku, rezulton se në harkun kohor të viteve 1848-1912, kanë dalë 111 të përkohshme (Boriqi, Marku: 29) Ky numër prej 111 titujsh, duket mjaft mbresëlënës, kur kihet parasysh se është fjala për periudhën e hershme të procesit të formimit të kombit shqiptar, kur ende nuk ekzistonte një shtet shqiptar. Pra, ky aktivizëm dhe kjo energji atdhetare, mundësoi që të dilnin revista gjithandej, që nga Stambolli e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në atë kohë ishte një kontinent shumë më i panjohur dhe shumë më i largët për shqiptarët se sa që është në kohën tonë. Sigurisht që disa nga mediat më me ndikim, u nxorën në Stamboll dhe në vende dhe qytete që kishin lidhje më të mira komunikimi me territoret shqiptare. Botimi në Greqi i revistës “Pellazgos” të Anastas Bykut, e pasuar nga “I foni tis Alvanias” e Anastas Kulluriotit, janë prova të qarta se arvanitasit në periudhën e hershme të Rilindjes Kombëtare ishin pjesë integrale e kësaj lëvizjeje. Këto dy media, pra, dëshmojnë se në Greqi ende nuk ishte mbytur tërësisht përkatësia shqiptare e arvanitasve, që megjithatë i ishin ekspozuar procesit të pamëshirshëm të asimilimit, veçanërisht që nga themelimi i shtetit grek, brenda të cilit ishte përfshirë një numër i madh i shqiptarëve. Këto media ishin si përpjekje që krahas një shkalle të integrimit në shtetin grek të arvanitasve, të mbahej e gjallë edhe fryma e përkatësisë etnike dhe kombëtare të tyre. Prandaj, revistat dolën në të dyja gjuhët, ndonëse greqisht më shumë e shqip sa për simbolikë. Këto revista më shumë i janë dedikuar komunitetit arvanitas brenda Greqisë, e jo publikut shqiptar edhe në Shqipëri, sikundër do të ndodhë me revista të tjera që u botuan në vende të tjera.
Gjallëria kulturore e atdhetare e viteve të hershme të Rilindjes, megjithatë epiqendrën e kishte në Stamboll. Aty kishte një përqendrim të figurave kryesore intelektuale dhe të aktiviteteve kulturore që po zhvilloheshin në përgatitje të Rilindjes e në kuadër të saj më vonë. Në këtë kontekst, media më e rëndësishme ishte “Drita-Dituria”, në vitet 1884-1885. Në këtë revistë botuan tekste disa nga dijetarët shqiptarë më të njohur të kohës, prandaj ndikimi i saj në publikun shqiptar, ishte më i ndejshëm sado i pakët që ishte ai publik në atë kohë.
Edhe në Rumani dolën disa revista, pasi në atë vend kishte një komunitet shqiptarësh, që ishin pjesë aktive e Rilindjes Kombëtare. Në Itali vazhdon tradita e filluar që në vitin 1848 nga Jeronim de Rada, duke dalë në qarkullim disa të përkohshme, në mesin e të cilave si më e rëndësishmja nga Boriqi e Marku vlerësohet “La nazione Albanese” e Anselmo Lorekios.
Gjeografia e botimeve shqiptare zgjerohet edhe në Evropën Veriore përkatësisht në vendet e ulëta. Në Bruksel botohet revista “Albania” e Faik Konicës, sigurisht mediumi më i rëndësishëm e asaj periudhe. Fletushka dalin në Egjipt, në Bullgari, Serbi, Greqi e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky numër i madh revistash në shtete e qytete të ndryshme, krahas idesë për akitvizimin atdhetar, e zbulonte edhe dobësinë e organizimit kulturor e politik të asaj kohe. Kishte numër të konsiderueshëm revistash, por asnjë gazetë ditore, e cila me periodicitetin e saj, me aktualitetin e saj, do të ndikonte më unifikimin e kombëtar dhe në përshpejtimin e afirmimit të ideve kombëtare.
Meqë shumica e këtyre mediave ishin produkt i komuniteteve të vogla dhe shpeshherë ishullore, ndikimi i tyre nuk ka mundur të ishte dinamik dhe më shumë ndikues në krijimin e opinionit publik. Mungesa e ndonjë gazete ditore është tregues i vështirësive dhe i dobësive të organizimit më të lartë dhe njëherësh i mungesës së një ndikimi më vendimtar të medias mbi proceset politike e atdhetare në mesin e shqiptarëve në këtë periudhë. Kjo mund të vërehet edhe në gjuhën e shkruar, sepse ndarjet dialektore në disa raste ishin më të mëdha, ndonëse tendencat e unifikimit filluan të shfaqen bukur herët, por më fuqishëm me revistën “Albania” të Faik Konicës.
Tabela e disa revistave të botuara sipas viteve e vendeve, që nga viti 1848 e deri në vitin 1912, na e jep një pamje interesante të shpërndarjes së shqiptarëve dhe aktiviteteve të tyre kulturore para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë:
1848 doli në Itali revista “L’Abanese d’Italia” e Jeronim De Radës
1860-1861 doli në Greqi botimi “Pellazgos” (Pellazgu)
1877 themelohet “Komiteti i Stambollit”
1877 doli në Rumani revista “Lumina” (Drita)
1878 themelohet Lidhja e Prizrenit
1879 ngrihet “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll
1879-1890 – doli në Greqi revista “I foni tis Alvanias (Zëri i Shqipërisë)
1879 doli revista “Ishkodra” në Shkodër
1883 – 1887 doli në Itali revista “La bandiera dell’ Albania” (“Fiamuri Arbnit”)
1884-1885 doli revista “Drita” (Dituria) në Stamboll
1887 hapet shkolla e parë shqipe në Korçë.
1887 doli “Arbri i Ri”, Itali
1888 doli në Rumani revista “Albanezul” (Sqipetari)
1897- 1924 doli në Itali revista “La nazione Albanese” (Kombi shqiptar)
1897-1903 në Belgjikë revista “Albania” e Faik Konicës
1897-1908 vjetari “Ditërërfejsi (Kalendari) Shqip” në Bullgari
1891-1913 revista “Elcija i zemres t’Jezu Kriscit” në Shkodër
1898-1899 revista “Yll’ i Shkijpërisë” në Rumani
1898 në Bukuresht doli “ Pavarësia e Shqipërisë”
1899 themelohet “Bashkimi” në Shkodër
1899 në doli në Sofje “Shpnesa e Shcypeniis”
1900 “Besa Besën” në Egjipt
1901 “Toska” në Egjipt (vazhduese e “Besa-Besën”)
1901-1908 gazeta Drita në Bullgari
1902-1906 gazeta “Albania” në Beograd
1903 “Rilindja Kombëtare” nga Thoma Avrami në Bukuresht
1903 doli në Gjenevë revista “L’Albanie”
1904-1905 revista “Besa” në Kajro
1906-1909 gazeta Dielli, Boston
1906-1906 gazeta “Cqipëria” në Kajro
1907-1908 gazeta “Shkopi” në Sofje dhe Kajro
1908 mbahet Kongresi i Manastirit
1908 “Besa” në Stamboll
1908 “Çkumbi”- (Shkumbi)
1908-1910 revista “Korça”
1909-1939 gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
1909-1901 “Flamuri”
1909-1910 revista “Rrufeja” në Egjipt
1909 “Shkipetari” në Stamboll
1909- revista mujore “Lahut’ e malcis”
1909-1910 gazeta “Bashkimi i kombit”
1909- revista “E vërteta”
1909-1910 gazeta “Liria” në Selanik
1909-1911 gazeta “Shkypeja e Shqypenis” Bullgari
1909-1910 revista “Lidhja ortodokse”
1909 doli në Stamboll revista “Shqiptari- Arnavud”
1910-1911 gazeta “Shkupi”
1910-1911 gazeta “Bashkimi” në Shkodër
1910 gazeta “Tomorri” në Elbasan
1911 doli në Shkup gazeta “Shkupi”
1911 doli në Manastir “Drita”
1911 “Trumbeta e Krujës”
1911 doli në Sofje revista “Liria e Shqiprisë”
1911-1912 revista “Drita” në Manastir
1911-1926 revista “Koha” e Mihal Gramenos
1911-1912 revista “Lajmtari” Bullgari
1912- 1914 gazeta “Atdheu” Konstancë- Durrës
1912 themelohet shoqata “Vatra” në SHBA
1912-1913 Zëri i popullit
1912, 28 nëntor shpallet pavarësia e Shqipërisë
Dalja e këtyre mediave, pra, ishte produkt i aktiviteteve kulturore dhe politike të intelektualëve dhe grupimeve të ndryshme atdhetare. Natyrisht, edhe dalja e mediave në qarkullim, financimi dhe politikat editoriale, ishin të lidhura me konceptet kulturore dhe politike të caktuara, në të cilat kishin shumë herë ndikimin e vet edhe sponsorët e jashtëm. Ndikimi i sponsorëve të ndryshëm pati bërë që të kishte edhe rryma të ndryshme brenda vetë lëvizjes kombëtare, që reflektohej edhe përmes mediave që publikoheshin. Rast eklatant në këtë kontekst është ai në Rumani, ku pati përçarje serioze në mesin e aktivistëve shqiptarë. Kështu, Nikolla Naço, një figurë me influencë në komunitetin shqiptar në Rumani, pati propozuar që edhe vetë lëvizja kombëtare shqiptare të bashkohej me lëvizjen vllehe. Idetë dhe projekti i Nikolla Naços, shoqëria “Drita”, ishte e sponsorizuar nga shteti rumun.
Programi i revistës “Albania” si shembull
Një përvojë më vete është ajo e revistës “Albania” të Faik Konicës. Konica kishte arritur akord me autoritetet austriake që të financonin revistën “Albania”, në kuadër të projektit që kishte Austro-Hungaria për përgatitjen e shqiptarëve për jetë të pavarur shtetërore përkatësisht për kompaktësimin e shqiptarëve. Në kuadër të këtij projekti shtet-ndërtues për shqiptarët, Austro-Hungaria kishte nxitur hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në Shqipëri, shkollimin e një numri studentësh shqiptarë në Austri, stimulimin e studimeve albanologjike dhe financimin e shtypit shqiptar, që do të ishte në kuadër të këtij misioni. Nga revistat e financuara nga Austro-Hungaria përmenden, jo vetëm “Albania” e Faik Konicës, e cila dilte në Bruksel, po edhe “Ylli i Dritës”, “Besa Shqiptare”, “Populli”, “Posta e Shqipërisë”, “Atdheu” etj. Pra, ishte një projekt më i gjerë i sponsorizimit të mediave nga ana e Austro-Hungarisë në kuadër të përgatitjes së shqiptarëve për procesin final të pavarësimit. Në këtë mes, revista “Albania” e Konicës, sigurisht për shkak të rëndësisë së botuesit të saj, është më qartësisht e fokusuar si pjesë e këtij projekti. Konica kishte negociuar nxjerrjen e revistës me autoritetet austriake, duke u ofruar një program konkret mbi të cilin ajo do të mbështetej.
“Programi kishte për qëllim të zhvillonte ndjenjën kombëtare shqiptaredhe t’i bënte myslimanët shqiptarë krejt të vetëdijshëm se ata ishin të ndryshëm nga turqit. Për t’i arritur këtij qëllimi duheshin përdor këto mjete: 1) revista e shkruar në gjuhën shqipe (në dialektet tosk e geg) dhe frëngjisht, do të botonte këngë popullore, kronika historike, vjersha patriotike, diskutime për çështje ekonomike, etj, 2) do të formohej një shoqëri e përgjithshme (Rilindja Shqiptare), anëtarët e së cilës do të vinin në veprim idetë e mbrojtura në revistë,3) shkollat do të ishin objekt i shqetësimit aktiv. “
(Skendi: 149-150)
Këto tre pika ishin pjesë e taktikave të Austro-Hungarisë për përgatitjen e shqiptarëve për jetë si komb më vete, kur për këtë të vinte ora e përshtatshme. Pra, revista “Albania” ishte brenda kësaj hullie të politikave austro-hungareze, të cilat në pjesën më të madhe përputheshin me aspiratat e shqiptarëve. Megjithatë, korniza kaq strikte që i ishte imponuar si politikë editoriale revistës “Albania”, ku edhe dekurajohej që të kritikonte qeverinë osmane, është shembull se si ushtrohej ndikimi mbi lëvizjen dhe mbi mediat shqiptare të kohës, të cilat nuk ishin të afta të vepronin si të pavarura. Ndikime të këtilla, të dukshme e të fshehta, ka pasur mbi shumicën e mediave që janë botuar në atë periudhë. Agjendat shumë herë të ndryshme të revistave, polemikat e forta mes veprimtarësh, janë vetëm një simptomë e këtij realiteti.
Me gjithë kundërthëniet dhe devijimet eventuale, drejtimi kryesor mbetej i palëkundur, sepse Lidhja e Prizrenit e kishte trasuar një rrugë nga e cila nuk mund të dilej më, pa u damkosur me epitetin e tradhtisë kombëtare. Steka e vendosur prej saj duhej të arrihej e të kapërcehej, ndërsa kushdo që mbetej nën të, ishte jashtë rrymës dominuese të lëvizjes kombëtare.
Mungesa e shtypit shqip në Kosovë
Fatkeqësisht, në Kosovë nuk pati as gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare ndonjë shtrirje të mediave në gjuhën shqipe. Autorët Boriqi e Marku duke folur për shtypin e për gazetarinë shqiptare në Kosovë iu referohen gazetave “Prizreni”, “Kosova dhe “Salmane Vilajet Kosova” si korpus i trashëgimisë së gazetarisë shqiptare, padyshim me vullnetin e mirë, sepse duan të theksojnë shqiptarësinë e Kosovës dhe traditën e gazetarisë shqiptare në këto troje, por problemi është se nëse e aplikojmë kriterin gjuhësor për vlerësimin se çka është e çka nuk është gazetari shqiptare, atëherë gazetat, publikimet që nuk janë botuar në gjuhën shqipe, nuk mund të themi se janë gazetari shqiptare. Ndërsa këto publikime ishin vetëm në gjuhën turke dhe atë serbe. Në gjuhën turke edhe mund ta kuptojmë arsyen e botimit, sepse janë botime të administratës turke të Vilajetit të Kosovës dhe normalisht që qeveria gjithmonë ka dashtë ta ketë një mënyrë komunikimi me qytetarët përmes botimeve e publikimeve të ndryshme, por pse janë edhe në gjuhën serbe e jo në shqipe, kur dihet se shqiptarët kanë qenë shumicë absolute edhe në shek. e XIX-të? Pra, duke pasur ingerencat protektoriale për ortodoksët, rusët kanë mbërritur ta detyrojnë Portën e Lartë që të botojë shtojca edhe në gjuhën serbe, si pjesë të këtyre publikimeve. Këto kanë ndodhur kështu por për një kohë e më pas janë hequr, por sidoqoftë konteksti në të cilin ka ndodhur kjo veprimtari botuese, është brenda protektoratit fetar rus mbi ortodoksët në Ballkan. Mospërfshirja me kohë e Kosovës në rrjetin e mediave dhe të komunikimit në gjuhë shqipe, me frymën e Rilindjes Kombëtare, do të ketë pasoja të rënda për fatet e saj në periudhat që pasuan. Çuditërisht, asnjë nga themeluesit e gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe në diasporë, nuk kanë pasur prejardhje nga Kosova. Ky fakt ka pasur ndikim edhe në shkallën e tematizimit të problemeve të saj si problem brenda botëvështrimit të ri nacionalist shqiptar. Në rastin e Kosovës së periudhës së Rilindjes Kombëtare e deri në vitin 1912, bëhet e qartë se nuk mjafton vetëm angazhimi me armë për ta arritur një objektiv nacional, po duhet edhe përdorimi i sinkronizuar i komunikimit, kulturës, medias, propagandës. Ndërsa, përvoja e Kosovës pas vitit 1912, kur ajo mbeti e pushtuar nga sllavët, është edhe më tragjike: gjuha shqipe ishte e ndaluar në Serbi/Mbretërinë SKS/Jugosllavi, e bashkë me të edhe kultura dhe komunikimi shqip në përgjithësi. (Fragment nga libri “Ekskomunikimi si histori e fshehur”, Rozafa, Prishtinë, 2016)
- Advertisement -