Në 20 vjetorin e rënies, sot në Vushtrri janë përkujtuar Dëshmorët e Kombit që ranë në Strovc të Vushtrrisë, Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni (H) Klinaku e Mehdi Fazliu, si dhe është zbuluar pllaka përkujtimore për dëshmorin Enver Tahiri, raporton gazeta Online Veriu.info.
Si në ceremoninë e Zbulimit të pllakës përkujtimore në Strovc, ashtu edhe në Akademinë përkujtimore të mbajtur në Vushtrri, për luftën e UCK-së ka folur nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi i cili vlerësoi lartë sakrificën e djemve më të mirë që dha Artakolli në Çlirimin e Kosovës.
Ndërsa për Betejën e para 20 viteve dhe për heroizmin e luftëtarëve të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, ka folur komandanti i këtij batalioni Aziz Bici, i cili përshkroi trimërinë që treguan bijtë më të mirë të Artakollit në mbrojtjen e Çyçavicës dhe popullsisë civile që qëndroi në atë Zonë deri në përfundimin e luftës.
Për heroizmat e dëshmorëve kanë folur edhe bashkëluftëtarë tjerë të tyre në këtë zonë.
Dëshmorët Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni (H) Klinaku ishin ushtarë të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të UÇK-së. Ndërsa, dëshmori Mehdi Fazliu ishte ushtar i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të Zonës Operative të Drenicës. /Veriu.info/