BallinaLajmeNatasha Kandiq e ashpër me Shkëlzen Gashin: Nuk kupton, ai as nuk...

Natasha Kandiq e ashpër me Shkëlzen Gashin: Nuk kupton, ai as nuk është hulumtues – as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar

Të ngjajshme

“Shkëlzen Gashi nuk kupton, ai as nuk është hulumtues (shkencor).”

Një prodhim i tij–e i paguar edhe nga shteti–ka shkaktuar indinjatë të madhe publike për falsifikim e shtrembërim historie. Shkëlzen Gashi, autori i ekspozitës për masakrat serbe gjatë luftës në Kosovë, kur reagimi i madh dënues vërshoi vendin, u arsyetua se të dhënat i ka marrë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, punë të cilën e ka bërë edhe aktivistja serbe, Natasha Kandiq.

Në Masakrën e Dubravës ai përshkroi të kenë humbur jetën edhe “48 shqiptarë të armatosur.” Përveç demantimit dhe distancimit të madh kjo organizatë, gazeta Nacionale kontaktoi edhe vetë Natasha Kandiqin për të marrë një vështrim rreth shfrytëzimit dhe (keq)përdorimit që Gashi i bëri listimit dhe regjistrit të kësaj organizate.

Kandiq e vë në dyshim në rend të parë që Gashi të jetë i kualifikuar profesionalisht, si dikush që “as nuk e ka dijen e as kupton atë çka kemi shënuar.” Ajo i referohet përshkrimit që Gashi shkroi edhe në librin e vet edhe në ekspozitën e dhënë në sheshin e Prishtinës për Masakrën e Dubravës. Si mundet, e ngren pyetjen ajo, që të burgosurit e të privuarit nga liria të jenë edhe “të armatosur?” Për atë se çka Gashi ka shkruar se janë të listuar si “ushtarë” ajo thotë se në momentin e arrestimit atyre u ndërron edhe Statusi, logjikshëm; dhe aty aplikohet Konventa e Gjenevës. Për më tepër, listimi “ushtarë” prej ku Gashi ka konstatuar shqiptarë të armatosur, janë marrë edhe nga të dhënat shtetërore serbe të asaj kohe, pranon Kandiq.

“Shkëlzen Gashi nuk kupton. Ai nuk e kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar se disa prej të vrarëve ishin anëtarë të UÇK-së. Por, kjo do të të thotë që ata kanë qenë anëtarë të UÇK-së para se të arrestoheshin; sepse disa prej tyre ishin të dënuar, akuzuar, dhe pas kësaj atyre u ka ndërruar Statusi. Por, për historinë dhe dijen dhe të vërtetën është shumë e rëndësishme…Dhe, që të gjithë ata janë viktima të krimeve të luftës. Më vjen keq, por Shkëlzen Gashi këtë nuk e kupton. Ata janë vrarë si të burgosur, nga gardianë të armatosur,” tha Kandiq.

Në nënpyetjet se përmbajtja e asaj ekspozite është edhe derivat kryekëput i librit që kishte shkruar më herët Gashi, Kandiq është në dijeni që ai libër nuk i përket shkencërisë. “Kam parë shumë gjëra më ndryshe në të”, na tha ajo dhe vëren se “edhe historianët në Prishtinë e kanë kritikuar.”

Mediumi e pyeti Kandiqin se si e komenton që përvçe shtrembërimit historik është edhe shtrembërim i të dhënave të tyre; ajo thotë se “unë e shoh që ai nuk i kupton faktet.”

“Ushtar (i listuar) nuk do të thotë shqiptar i armatosur, sepse shumë njerëz të shënuar si anëtarë të UÇK-së, ata nuk e kanë humbur jetën në dyluftim, ata u vranë në situatë me civilë të tjerë të paarmatosur, sepse ai në atë moment nuk është në rolin e dyluftues, këtu është dallimi. Por Shkëlzen Gashi nuk mund ta kuptojë këtë, sepse nuk është hulumtues (shkencor),” përfundoi Kandiq.

Për atë se të listuarit si “ushtarë” a kanë qenë të dhëna të marra nga autoritet shtetërore dhe të burgut asokohe, Kandiq thotë se “po, sigurisht…edhe nga burime të tjera.”

Distancimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kundërshtuar publikisht pretendimet e autorit Shkëlzen Gashi lidhur me ekspozitën dhe librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i cilësuar disa nga konstatimet si të pasakta dhe joprofesionale.

Në reagimin zyrtar, organizata hedh poshtë pohimin se në Burgun e Dubravës janë vrarë “persona të armatosur”, duke theksuar se viktimat ishin të burgosur shqiptarë nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe.

“Të dhënat e paraqitura […] në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve. Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thuhet në reagim.

Sipas fondit, edhe në rastet kur disa prej viktimave kishin qenë më parë pjesëtarë të UÇK-së, ata në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë, por persona të privuar nga liria dhe të mbrojtur nga Konventat e Gjenevës.

Organizata thekson se ngatërrimi i përkatësisë me rrethanat e vdekjes ka çuar në deformim të natyrës së krimeve. “Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së”.

Reagimi evidenton gabime të ngjashme edhe në rastin e Mejës, ku viktimat, ndonëse disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, u vranë si civilë të paarmatosur nën kontroll serb.

Po ashtu, kritikohet interpretimi i ngjarjeve në Reçak, duke iu referuar dëshmisë së Shukri Bujës në gjyqin e Slobodan Milošević-it, ku bëhet dallim mes luftimeve dhe vrasjes së civilëve.

Fondi e konsideron shqetësues përpjekjen për t’ia atribuar këto pasaktësi vetë organizatës, duke e cilësuar si tentativë për diskreditim të bazës së saj të të dhënave.

“Paraqitja e pasaktë e fakteve […] relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave”, përfundon reagimi, duke kërkuar tërheqjen e ekspozitës nga hapësira publike.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz