Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si vendimtar për të ardhmen institucionale të vendit.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimin e mëparshëm të gjykatës, përmes veprimeve të koordinuara dhe të qëllimshme.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se z. Dehari, nën direktivat e partisë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke cenuar rendin kushtetues,” tha Mustafa. Ai e cilësoi këtë si një përpjekje të qëllimshme për kapjen e institucionit më të lartë në vend.
“Sot jemi në një moment vendimtar për të ardhmen institucionale të vendit tonë, njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, i prerë dhe pa ekuivok. LVV nuk e ka respektuar Kushtetutën, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor. Përmes veprimeve të koordinuara dhe të qëllimshme, VV-ja ka vazhduar të marrë veprime që sot janë shpallur të pavlefshme dhe antikushtetuese nga autoriteti më i lartë.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që zoti Dehari, si kryesues i seancës, nën direktivat e partisë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke injoruar vendimet e gjykatës dhe duke cenuar rendin kushtetues. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për të kapur institucionin më të lartë, duke bërë shkelje të qëllimshme,” ka thënë Mustafa.