Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas vendimit për largimin e 6 gazetarëve të Radio Televizionit të Kosovës nga ekrani dhe emisionet që i drejtonin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo e ka quajtur këtë veprim si sulm të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend, raporton IndeksOnline.
“Fjala e lirë është themeli i çdo demokracie. Pa të, shteti shndërrohet në aparat propagande, ndërsa qytetari humb zërin dhe dinjitetin e tij. Gazetarët e RTK-së, me profesionalizëm dhe guxim, po dëshmojnë se gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por mision ndaj së vërtetës”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Duke komentuar veprimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetarëve të RTK-së, ajo tha se këto nuk janë thjesht sulme ndaj individëve, por goditje ndaj vetë demokracisë.
Reagimi i plotë:
Fjala e lirë është themeli i çdo demokracie. Pa të, shteti shndërrohet në aparat propagande, ndërsa qytetari humb zërin dhe dinjitetin e tij. Gazetarët e RTK-së, me profesionalizëm dhe guxim, po dëshmojnë se gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por mision ndaj së vërtetës.
Veprimet e fundit të LVV-së ndaj tyre nuk janë thjesht sulm ndaj disa gazetarëve por janë sulm ndaj vetë demokracisë. Sepse aty ku kontrollohet fjala e lirë, kontrollohet edhe mendimi, edhe shoqëria, edhe ardhmëria.
Demokracia nuk bie nga jashtë, ajo shembet nga brenda, kur pushteti tenton të heshtë kritikën dhe ta kthejë median publike në vegël të vet. Kjo është përmbysja e saj më e rrezikshme.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi solidarë me gazetarët profesionistë të RTK-së dhe me çdo zë të lirë në këtë vend. Sepse duke mbrojtur fjalën e lirë, ne mbrojmë demokracinë, të ardhmen dhe vetë lirinë tonë. /IndeksOnline/