BallinaLajmeLajmet e FunditMusk ‘braktis’ qeverinë amerikane – shtatë gjëra që mund të mos i...

Musk ‘braktis’ qeverinë amerikane – shtatë gjëra që mund të mos i keni ditur për miliarderin e famshëm

Emri Elon Musk është ndoshta një nga më të njohurit në ditët moderne.

Njeriu më i pasur në botë njihet si pronar i kompanive të ndryshme, duke përfshirë Tesla, Space X, X, dhe së fundmi si pjesë e stafit të administratës Trump.

Pas gati 130 ditësh si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë – i njohur shkurt si DOGE – Musk njoftoi se po largohej nga roli i tij në qeverinë amerikane.

Puna e tij brenda departamentit dhe marrëdhënia e tij e ngushtë me Trumpin bëri që Musk të jetë në krye të mediave më shumë se kurrë, por ka shumë për biznesmenin miliarder që raportohet rrallë.

Këtu janë shtatë gjëra që mund të mos i dini për të.

Krijoi videolojë

Në fillim të viteve 1980, në moshën 12-vjeçare, Musk krijoi videolojën Blastar.

Ai krijoi lojën, e cila i ngarkon lojtarët të përdorin tastierat e tyre për të qëlluar anije kozmike luftarake aliene, përmes njohurive të tij për kodimin dhe programimin, të cilat ai i mori në moshën nëntë vjeçare, sipas biografisë së Ashlee Vance të vitit 2015 të manjatit të teknologjisë.

Në vitin 1984 loja ishte aq e mirë, sa Musk ia shiti revistës PC dhe Office Technology për 500 dollarë.

Kishte talent për biznes

Që nga fillimi, ishte e qartë se Musk kishte një talent për biznes. Në vitin 1995, në moshën 24-vjeçare, ai themeloi kompaninë e tij të parë, Zip2 me vëllain e tij, Kimbal.

Dyshja krijuan kompaninë, e cila krijoi udhëzues të qytetit në internet.

Ajo u shit për rreth 300 milionë dollarë katër vjet më vonë në 1999.

Përpara se të fitonte para për suksesin e Zip2, Musk tha se ai dhe vëllai i tij ishin goxha të thyer dhe të dy flinin në zyrën ku punonin – një sjellje që ai thuhet se përsëriti në ditët e para të Teslss.

Nga shitja e kompanisë, Musk u largua nga Zip2 me 22 milionë dollarë, dhe gjëja e parë që bleu ishte një McLaren F1, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Ai tha në atë kohë: “Vetëm tre vjet më parë isha duke fjetur në dyshemenë e zyrës dhe tani kam një veturë miliona dollarëshe”.

Krijoi parfumin e tij

Pavarësisht suksesit të madh, disa nga idetë e Musk nuk kanë rezultuar të jenë aq të qëndrueshme.

Në vitin 2022, ai zbuloi një parfum të quajtur Burnt Hair.

Aroma, e cila kushtonte 100 dollarë një shishe, ishte një sukses i madh, sipas Musk, i cili tha se kishte shitur 10,000 shishe në vetëm pak orë, duke i fituar atij një milion dollarë.

“Me një emër si imi, hyrja në biznesin e aromave ishte e pashmangshme”, tha Musk në atë kohë.

Nuk dihet nëse produkti ishte serioz dhe nuk është më i disponueshëm.

Përveç parfumit, ai prezantoi një tekila në vitin 2020.

Ishte shef i PayPal

Shumë kohë përpara se Twitter të bëhej X, Musk krijoi X.com, një kompani bankare dhe shërbimesh financiare në internet.

Platforma tërhoqi shpejt një bazë të madhe klientësh dhe në vitin 2000, ajo u bashkua me Confinity, e cila u bashkëthemelua nga sipërmarrësit e teknologjisë Peter Thiel dhe Max Levchin.

Platforma më vonë u riemërua PayPal.

Musk vazhdoi të bëhej shef ekzekutiv i PayPal, por më vonë u rrëzua nga pozicioni pasi u shfaqën argumente mbi emrin e kompanisë dhe drejtimin e përgjithshëm.

Në vitin 2002, faqja bankare u ble nga eBay për 1.5 miliardë dollarë. Vite më vonë, në 2017, eBay ia shiti domenin X.com përsëri Musk.

Portretizimi i Iron Man u frymëzua nga jeta e tij

Jeta e Musk si një sipërmarrës miliarder tingëllon si fillimi i një filmi të suksesshëm të Hollivudit.

Dhe në realitet, personaliteti dhe arritjet e Musk u përdorën pjesërisht si frymëzim për portretizimin e Iron Man nga Robert Downey Jr.

Nuk është themeluesi i vërtetë i Teslas

Musk nuk e filloi Teslan. Ai ishte në fakt një investitor i hershëm në kompani dhe ishte shefi i katërt ekzekutiv kur mori rolin në vitin 2008 – menjëherë pasi kompania prezantoi veturën e saj të parë – Roadster.

Në fakt, ishin Martin Eberhard dhe Marc Tarpenning ata që themeluan kompaninë në vitin 2003, megjithëse Musk ishte ai që e shtyu atë në një skenë globale.

Është drejt krijimit të një aplikacioni “për gjithçka”

Pasi mori përsipër platformën X për 44 miliardë dollarë në 2022, Musk u bë një hap më afër arritjes së qëllimit të tij për krijimin e një “aplikacioni për gjithçka”.

Manjati i teknologjisë ka thënë më parë se dëshiron që X të bëhet i ngjashëm me WeChat – një aplikacion kinez që ofron një gamë të gjerë funksionesh përtej mesazheve, duke përfshirë pagesat, porositjen e taksive e ndarjen e postimeve në rrjete sociale.

Vizioni i Musk për këtë “super aplikacion” duket se ndahet nga ata në X, duke përfshirë shefen ekzekutive Linda Yaccarino, e cila tha në fund të vitit të kaluar se 2025 do të ishte viti që X “ju lidh në mënyra që nuk e kishit menduar kurrë.

Dhe kjo duket se po bëhet disi e vërtetë.

Në janar, Musk njoftoi se X kishte partneritet me gjigantin e pagesave Visa, i cili do t’i lejojë përdoruesit të lëvizin fondet midis bankave tradicionale dhe një portofoli digjital X dhe të bëjnë pagesa për miqtë. /Telegrafi/

- Advertisement -