Prishtinë- Për shkak të mungesës së të akuzuarit Sheremet Jashari, këtë të hënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka dështuar të mbahet gjykimi, ku bashkë me Jasharin për krim të organizuar dhe vepra tjera penale po akuzohen Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Ismet Haxha dhe Skender Tahiri dhe Bajram Dibrani.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, bëri të ditur se ndaj të akuzuarit Jashari, do të lëshojë urdhëresë për sjellje e tij me detyrim në seancën e ardhshme.
Në këtë seancë prokurorja e rastit, Florije Shamolli u deklarua rreth dëgjimit të dëshmitarëve, ku njoftoi gjykatën se njëri nga ta ka ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Përmes shkresave zyrtare kam bërë kërkesë për sigurimin e dëshmitarit F, përmes dokumentacionit që e kam përcjell në gjykatë i cili figuron se i njëjti ka ndërruar jetë. Ndërsa sa i përket dëshmitarit C, nga njësiti i EULEX-it kam kërkuar informata se ky dëshmitar a gjendet në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, mirëpo përmes email zyrtar përgjigja është se dëshmitari C, nuk është në listën e dëshmitarëve të mbrojtur”, tha ajo.
Lidhur me dëshmitarët e tjerë, prokuroja Shamolli deklaroi se gjykata duhet t’i drejtohet EULEX-it të cilët do ta sigurojnë prezencën e dëshmitarëve të tjerë që gjenden në programin e mbrojtjes.
Tutje, lidhur me deklarimin e prokurores Shamolli, mbrojtësi i të akuzuarit Lushtaku, avokati Artan Çerkini deklaroi se në këtë rast në shkresat e lëndës nuk ka asnjë aktvendim që në këtë çështje janë të shpallur dëshmitar të mbrojtur.
“…dëshmitarët tjerë fare nuk kanë qenë dëshmitar në rastin “Drenica 1”, dhe në këtë çështje penale nuk ka asnjë aktvendim që këta dëshmitar të shpallen të mbrojtur”, tha Çerkini.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Rukolli, avokati Arianit Koci, tha se ka 5 apo 6 vite kur është bërë pranim dorëzimi i shkresave të lëndës dhe nuk ka kuptim të pyetet për këta dëshmitarë.
Ndryshe, në këtë rast gjykimi është duke vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.
Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato. Aktvendimin e Themelores, e kishte lënë në fuqi Gjykata e Apelit në korrik 2018.
Po ashtu, Themelorja kishte aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.
Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.
Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit. Më pas, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.
Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.
Pika e parë e aktakuzës ngarkonte Emrush Thaqin se më dhe pas 20 majit 2014, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke shkelur qëllimshëm dhe me vetëdije një ligj i cili ndërlidhet me detyrat e tij dhe qëllimisht nuk ka zbatuar detyrat e tij, duke u mundësuar të paraburgosurve në rastin P.938/13 (i njohur si Rasti Drenica): Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të arratisen nga objekti i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, në formë të ngritjes në pozitë në drejtor të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke u mundësuar tre të pandehurve të gëzojnë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që u ka mundësuar atyre të arratisen nga mbikëqyrja korrektuese dhe duke e detyruar gjyqtarin të ndryshojë vendimin e 19 majit 2014, për transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Aktakuza thotë se i pandehuri nuk është kujdesur për caktimin e dy rojeve të burgut për ta mbikëqyrur secilin të pandehur, nuk është kujdesur për sigurimin e pranisë së paku të një oficeri korrektues në dhomën e të pandehurit gjatë gjithë kohës, nuk është kujdesur nëse stafi ka qenë i caktuar për ruajtjen e të paraburgosurve në spital kanë qenë mjaftueshëm të kualifikuar për kryerjen e mbikëqyrjes korrektuese të të paraburgosurve të nivelit të lartë.
Më tej, thuhet se nuk është kujdesur për vendosjen e të pandehurve në dhoma të siguruara majftueshëm apo si alternativë të sigurojë dhoma mjaftueshëm në mënyrë që të parandalohet arratisja e tyre, nuk është kujdesur për pajisjen e oficerëve korrektues të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, me mjetet e përshtatshme të sigurisë, nuk është kujdesur për mbajtjen e të pandehurve me pranga, përveç në rastet kur kjo është kërkuar për ofrimin e trajtimit mjekësor.
Po ashtu, thuhet se nuk është kujdesur për moslejimin e vizitorëve pa leje nga gjykata që të vizitojnë të pandehurit, nuk ka urdhëruar vartësit e tij zyrtarë korrektues (Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj) të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, të bashkëpunojnë plotësisht me zyrtarët e PK-së, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk ka paraqitur kërkesë në Komisionin për Kategorizimin e të Burgosurve, të kategorizojnë të pandehurin Ismet Haxha si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë apo rrezik të lartë për arratisje dhe nuk ka nisur procedurë disiplinore kundër të paraburgosurit të arratisur Haxha, i cili është mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës.
Në këtë mënyrë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se nga 11 nëntori 2014 deri më 22 shtator 2015, Emrush Thaqi, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së, keqpërdori detyrën duke mos ushtruar kontrollin ndaj njësisë vartëse korrektuese të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës dhe i ka mundësuar të paraburgosurit të rastit P.938/13, Sami Lushtaku, të gëzojë trajtim korrektues preferencial dhe të parregullt gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, duke kulmuar me arratisjen e tij më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, duke vazhduar të mbetet në pozitën e drejtorit të SHKK-së, dhe për të paraburgosurin, duke i mundësuar atij të gëzojë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që i ka mundësuar të arratiset.
Në aktakuzë thuhet se Thaqi nuk ka organizuar mbikëqyrjen e duhur të të paraburgosurit derisa ka qenë duke u transportuar jashtë Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, nuk është kujdesur për mbikëqyrjen e zyrtarëve korrektues vartës për zbatimin e rregullave lidhur me transportimin dhe hospitalizimin e të pandehurit jashtë Qendrës së Paraburgimit dhe nuk është kujdesur për zbatim të procedurave që kanë të bëjnë me kategorizimine të paraburgosurit si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë apo rrezik të lartë të arratisjes.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Pika e tretë e aktakuzës e ngarkonte Shemsi Hajrizin se mes 19 dhe 22 majit 2014, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të SHKK-së, keqpërdori detyrën duke refuzuar publikisht të zbatojë vendimin e gjyqtarit në rastin P.938/13 të 19 majit 2014, me të cilin urdhërohej transferimi i të pandehurve Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabeli, Jahir Demaku, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, duke nxitur vartësit e tij nga stafi korrektues të kundërshtojnë zbatimin e këtij vendimi në lidhje me të pandehurit Lushtaku, Jashari dhe Haxha.
Këtë thuhet se e ka bërë me qëllim të përfitimit për të tre të pandehurit, në atë mënyrë që të arratisen nga spitali dhe duke detyruar gjyqtarin të ndryshojë vendimin e tij për transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë dhe qëllimisht nuk i është bindur urdhrit të gjykatës.
Me këtë, Hajrizi akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1 dhe 2.2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Pika e katërt, ngarkonte Sami Lushtakun, Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën se në orët e mëngjesit të 20 majit 2014 dhe orëve të mbrëmjes së 22 majit 2014, në objektet e Spitalit Rajonal në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe përmes një plani të pajtuar mes tyre, derisa kanë qenë të paraburgosur për rastin P.938/13 (Rasti Drenica), kanë ikur nga dhomat e spitalit ku kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të pretenduar dhe janë fshehur në lokacion të panjohur, duke u arratisur nga ky institucion.
Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Arratisjes së personit të privuar nga liria” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 405, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim deri në 3 vite.
Në pikën e pestë të aktakuzës ngarkoheshin Mergim Lushtaku dhe Dardan Geci se në periudhën e njëjtë si në pikën e 4-të të aktakuzës, në objektin e Spitalit Rajonal të Prishtinës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas planit, kanë ndihmuar Sami Lushtakun të arratiset dhe të shkojë në vend të panjohur, ku qëndroi i fshehur deri më 22 maj 2014.
Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Lehtësimit të arratisjes së personave të privuar nga liria” në bashkëkryerje, nga neni 406, par.1 dhe 4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim nga 1 deri në 8 vjet.
Ndërsa, në pikën e gjashtë të aktakuzës, akuzoheshin Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj se në periudhën mes 20 dhe 22 majit, në objektin e Spitalit Rajonal të Prishtinës, në bashkëkryerje dhe sipas planit, kanë penguar zbatimin e vendimit të gjykatësit në rastin P.938/13, i cili urdhëronte transferimin e Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit nga Prishtina në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, ku në cilësinë e oficerëve korrektues nuk kanë mbajtur vigjilencën e duhur mbi të paraburgosurit, duke u mundësuar atyre të ikin dhe të gëzojnë lirinë e jashtëligjshme.
Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Ofrimit të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” si dhe “Lirimi i jashtëligjshëm i personave të privuar nga liria”, në bashkëkryerje, nga neni 388, par.1., 2.5 dhe 3 lidhur me nenin 31, si dhe nenin 407 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 1 deri në 10 vjet, si dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Më tej, pika e shtatë e aktakuzës ngarkonte Ylber Blakajn, Gzim Ahmetin dhe Xhevdet Zenën, se më 21 gusht 2015, duke vepruar në bashkëkryerje sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre dhe autorizimit në ruajtjen e të pandehurit Sami Lushtaku, derisa kanë qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit të Dubravës, duke e liruar atë jashtëligjshëm e kanë lënë të pashoqëruar të gëzojë kohën në liri, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë për paraburgim, të lëshuar me aktgjykimin e 27 majit 2015, duke e dënuar atë me 12 vjet burgim për rastin P.938/13.
Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “Lirimit të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria” nga neni 407 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Të njëjtit, ngarkoheshin edhe në pikën e tetë të aktakuzës, ku thuhet se më 22 shtator 2015, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas planit, në cilësinë e oficerëve korrektues keqpërdorën detyrën dhe autorizimet në ruajtjen e Sami Lushtakut, derisa ka qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, duke e liruar atë në mënyrë të jashtëligjshme dhe e lanë të pashoqëruar të gëzojë kohën në liri, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e Themelores në Mitrovicë për paraburgim.
Në këtë mënyrë, ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale të “Lirimit të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria”, në bashkëkryerje, nga neni 407 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Në pikën e 9-të, Sami Lushtaku ngarkohej se më 21 gusht 2015, qëllimisht ka qëndruar përkohësisht i pashoqëruar nga stafi korrektues dhe pa u miratuar ndonjë urdhër gjykate, jashtë hapësirave të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës, kur ai ka qenë në paraburgim për rastin P.938/13, duke qëndruar në shtëpi, kësisoj duke u arratisur nga instucioni ku ka qenë duke u mbajtur dhe nuk i është bindur vendimit për burgim të lëshuar nga gjykata.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale të “Arratisjes së personit të privuar nga liria” nga neni 405 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim deri në 3 vjet.
Edhe pika e 10-të e aktakuzës e ngarkonte Sami Lushtakun se më 22 shtator 2015 qëllimisht ka qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues dhe pa u miratuar ndonjë urdhër gjykate jashtë hapësirave të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, ku ka qenë në paraburgim, duke u arratisur nga instutucioni ku po mbahej.
Me këtë, Lushtaku akuzohej se ka kryer veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria” nga neni 405, par.1 të Kodit Penal, e dënueshme deri në 3 vjet burgim.
Kurse në pikën e 11-të ngarkohej Mervete Hasani-Lushtaku se më 22 shtator 2015, pas apo rreth objektit të Spitalit Rajonal të Prishtinës, ka kryer transportimin e Sami Lushtakut me veturë, duke ndihmuar kështu në arratisjen e tij.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria” nga neni 406, par.1 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 1 deri në 8 vjet burgim.
Në pikën e 12-të ngarkohej Agim Ukaj, se më 22 shtator 2015 duke vepruar në cilësinë e koordinatorit të transportit të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, ka keqpëdorur detyrën dhe autorizimet gjatë organizimit të transportit dhe mbikëqyrjes së të paraburgosurit Sami Lushtaku derisa ka qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, pasi nuk ka siguruar zbatimin e masave adekuate të sigurisë, duke i mundësuar të mbetet i pashoqëruar dhe të gëzojë kohën në liri, veprim ky në kundërshtim me vendimin e Themelores për paraburgimin e tij. Me këtë, i mundësoi Lushtakut masa më të buta dhe joadekuate të sigurisë, duke i lejuar atij të kalojë kohë në liri, i pashoqëruar nga oficerët korrektues jashtë objektit të paraburgimit.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1., 2.1, 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Sipas dispozitivit të 13-të të aktakuzës, Ismail Dibrani ngarkohej se nga 1 shtatori 2015 që nga dita kur ka marrë pozitën e drejtorit të Qendrës Korrektuese të Paraburgimit në Dubravë e më tej, ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe qëllimisht nuk ka zbatuar detyrat e tij, duke i mundësuar trajtim preferencial të paraburgosurit Lushtaku, gjë që përfundimisht rezultoi me arratisjen e tij nga mbikëqyrja korrektuese më 22 shtator 2014, për çka ndaj tij asnjëherë nuk është marrë masë disiplinore.
Aty thuhet se me qëllim të përfitimit për Lushtakun, i mundësoi atij masa më të buta dhe joadekuate, kështu që është lejuar të kalojë kohën në liri, i pashoqëruar nga oficerët korrektues jashtë objekteve të paraburgimit. Sipas aktakuzës, Dibrani nuk ka siguruar zbatimin e masave të duhura të sigurisë, kur i paraburgosuri është shoqëruar jashtë Qendrës së Paraburgimit të Dubravës për në spital, nuk ka paraqitur kërkesë për zv/drejtorin e përgjithshëm për Siguri dhe Operacione në SHKK për kategorizimin e Lushtakut si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë, apo rrezik të lartë për arratisje dhe nuk ka nisur procedurat disiplinore kundër Sami Lushtakut pas arratisjes së tij më 22 shtator 2015.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 dhe 2.1., 2.2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Ndërsa, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, në dispozitivin e 14-të akuzoheshin se prej 2 janarit 2014 e tutje, duke vepruar si mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë lëshuar raporte mjekësore të rrejshme, në bazë të së cilave ata kanë kërkuar ekzaminimet mjekësore në emër të Lushtakut, duke paraqitur kështu gjendje të rrejshme mjekësore në raportet e tyre, për të mundësuar transfere të rregullta në spital për të, ku ai ka gëzuar masa ndjeshëm më pak kufizuese dhe ka qenë në gjendje të shmang mbikëqyrjen korrektuese dhe përfundimisht edhe të arratiset.
Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Lehtësimi në arratisjen e personave të privuar nga liria”, në bashkëkryerje, nga neni 422, par.1., 2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31, nenin 398, par.1 dhe 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 406, par.1 dhe 4, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet, si dhe me burgim nga 1 deri në 8 vjet.
Kurse, dispozitivi i 15-të ngarkonte Nexhib Shatrin se më 23 korrik 2016, duke vepruar në cilësinë e mjekut në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, ka tejkaluar autorizimet e veta dhe veproi kundër Udhëzimit Administrativ për kriteret e vendosjes së të burgosurve në institucione korrektuese, duke lehtësuar transferimin e të paraburgosurit Shkelqim Latifaj në ditën e arritjes nga Dubrava, në repartin e spitalit në Dubravë, me qëllim që t’i mundësojë përfitim Latifajt në formën e gëzimit të kushteve më pak kufizuese në paraburgim.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1., 2.1 dhe 2.2., e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Dispozitivët 16, 17 dhe 18 për të cilët po vazhdon gjykimi
Pika e 16-të e aktakuzës ngarkon Sami Lushtakun, Rrustem Rukollin, Rexhep Xhotën dhe Fatmir Mjakun.
Sipas këtij dispozitivi, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën midis qershorit 2013 dhe prillit 2015, duke vepruar në bashkëkryerje sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre, kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme në shqyrtimin kryesor në rastin P.938/13, duke i premtuar dëshmitarit një përfitim në formë të punësimit, i kanë ofruar para në shumën prej së paku 40 mijë euro dhe një banesë, si dhe kanë aranzhuar dhe paguar trajtimin e gruas së tij në spital, në këmbim të mohimit të tij në deklaratën e tij të mëparshme të dhënë në procedurën paraprake më 18 janar 2012.
Aty thuhet se në atë deklaratë, dëshmitari “C” kishte dhënë dëshmi të fuqishme fajësuese kundër të pandehurve kryesorë në rast, përkatësisht Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, dhe si rezultat deklarata e tij e rrejshme në gjykim, ka penguar procedurën penale, gjë që ka çuar në lirimin e të pandehurve nga akuza.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprat penale të “Pengimit të dëshmisë apo procedurës zyrtare” si dhe “Frikësimin gjatë procedurës penale” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 394, pika 1.7 dhe 5 lidhur me nenin 31, si dhe nenin 395 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 3 deri në 5 vite, si dhe 2 deri në 10 vite.
Kurse, në pikën 17-të të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen se në periudhën midis qershorit 2013 dhe shtatorit 2015, duke vepruar sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre, kanë detyruar dëshmitarin “F” të japë deklaratë të rrejshme në shqyrtimin kryesor në rastin P.938/13, fillimisht duke e kërcënuar dëshmitarin e pastaj duke i dhënë para atij në vlerë prej së paku 109 mijë euro në këmbim të mohimit të deklaratës së dhënë në procedurë paraprake, në të cilën ai kishte dhënë prova të fuqishme fajësuese kundër Sami Lushtakut dhe Ismet Haxhës, dhe si rezultat i deklaratave të tij të rrejshme në gjykim, ka penguar procedurën penale dhe ka çuar në lirimin e të pandehurve nga akuza.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprat penale të “Pengimit të dëshmisë apo procedurës zyrtare” si dhe “Frikësimin gjatë procedurës penale” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 394, pika 1.7 dhe 5 lidhur me nenin 31, si dhe nenin 395 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 3 deri në 5 vite, si dhe 2 deri në 10 vite.
Ndërsa, pika e 18-të ngarkon Sami Lushtakun, Ismet Haxhën, Rrustem Rukollin, Rexhep Xhotën, Fatmir Mjakun, Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin, se të paktën prej qershorit 2013, duke vepruar sipas një plani të pajtuar bashkërisht, nën udhëzimin dhe drejtimin e Lushtakut dhe Haxhës, kanë vendosur të krijojnë një grup prej së paku tetë personash, aktiviteti kryesor i të cilëve ishte të parandalonin ndjekjen e dëshmitarëve në rastin P.938/13, ku janë dhënë deklarata fajësuese kundër Lushtakut dhe Haxhës gjatë fazës hetimore, për të dëshmuar në mënyrën e duhur, ku ata kanë detyruar të tjerët për ndryshimin e deklaratave të tyre fajësuese në shqyrtimin kryesor për të mundësuar lirimin e Sami Lushtakut dhe Ismet Haxhës nga akuza dhe nga paraburgimi.
Me këtë, Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 283, pika 1 dhe 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vite.
Kurse, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bahjram Dibrani, ngarkohen se kanë kryer veprën penale të “Pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 283 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku 7 vite. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.