Mungesa e Kuvendit të konstituar po bën që, sipas njohësve të fushës, marrëveshjet ndërkombëtare të mos mund të votohen dhe Kosovës po i shkaktohet dëm i madh në rrafshin ekonomik.
Njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i sheh me shqetësim këto ecuri.
Ai në intervistë për Ekonomia Online vë në dukje se vendi ka pësuar humbje afro 1.2 miliardë euro, përfshirë fondet IPA nga BE-ja dhe projekte të financuara nga SHBA-ja dhe Banka Botërore që janë të ngrira deri më tani.
“Nga mungesa e institucioneve ne nuk kemi ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Po e them me keqardhje që dëmet aktuale janë pothuajse afër një miliard e 200 milionë euro, duke përfshirë afër 830 milionë euro që kanë të bëjnë me IPA fondet 2 dhe 3, që kanë të bëjnë me agjendën për reforma të Bashkimit Evropian, me projekte të financuara nga SHBA-ja dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që kemi dy marrëveshje të paratifikuara me Bankën Botërore prej 230 milionë eurosh, e treta është 90 milionë euro dhe ato janë të ngrira, atëherë paramendoni cilat janë dëmet që po i shkaktohen Kosovës. Sot në Bruksel nuk flitet për Kosovën, sot për Kosovën po dominon një heshtje në qarqet evropiane dhe kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës”, tha Gërxhaliu.
Duke u ndalur te qëndrimi i Qeverisë në detyrë lidhur me këto marrëveshje, ai tha se ata po shprehen vetëm nga këndvështrimi politik apo partiak dhe se këto fonde nuk do mund ta kenë përdorimin e njëjtë me kalimin e kohës si pasojë e inflacionit.
Sipas tij, meqë shumë projekte kanë afat skadence, ato do të alokohen për shtete të tjera, duke mos iu dhënë Kosovës si pasojë e mosrespektimit të këtyre afateve.
“Është mjerim që dëgjohen terme të tilla të shprehura vetëm nga këndvështrimi politik dhe partiak, jo real dhe ekonomik dhe në këtë drejtim vërtet të gjithë këta parametra dhe në fund të fundit duhet të kuptohet që edhe të prolongohet shfrytëzimi i këtyre mjeteve ata do të përjetojnë amortizim edhe moral dhe do të jenë të tkurrur nga inflacioni. Duhet ta dinë edhe ministrat në detyrë, edhe të tjerët që një projekt, i cili në vitin 2023 ndoshta ka kushtuar 100 milionë, sot nuk mund të realizohet as për 140 apo 150 milionë euro dhe ky është dëmi direkt. Dhe e dyta, shumë projekte kanë skadencë.
Për shembull, nëse nuk kemi ratifikim të marrëveshjeve, në Bankën Botërore ato mjete do të stopohen për Kosovën dhe do të rialokohen për vende të tjera dhe kush është humbës? Është Kosova.
Dhe unë nuk e kam përgatitur veten që do të vijmë në një stad që dikush nga politikanët aktualë në Kosovë do të krenohet pse kanë bllokuar për shembull një projekt me energji me diell, një projekt me energji të diellit, e kanë bllokuar Kosovën e Re dhe kanë evituar apo kanë bllokuar projektin e elektranave. Në rrethana normale, Kosova do të duhej të kishte kapacitete të reja gjeneruese”, tha Gërxhaliu.
Edhe kryetari i tanishëm i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se si pasojë e moskonstituimit të kuvendit, marrëveshjet ndërkombëtare nuk po mund të kalojnë dhe kjo cenon zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve të Kosovës.
“Kemi marrëveshje që janë mbi 800 milionë euro ose afër 900 milionëve, të cilat presin në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, marrëveshje që janë të parapara për projekte kapitale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritje ekonomike dhe në përmirësimin e cilësisë apo standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këto marrëveshje nuk po mund të ratifikohen, sepse nuk e kemi Kuvendin”, u shpreh për Ekonomia Online, Rafuna.