back to top
Saturday, March 7, 2026
BallinaOpinioneMos e përdorni Prekazin për të larë turpin tuaj politik

Mos e përdorni Prekazin për të larë turpin tuaj politik

Të ngjajshme

Shkruan: Arjanit Hoxha

Prekazi nuk është skenë për fotografi politike. Prekazi është vendi ku gjaku i Adem Jashari dhe familjes Jashari u bë themel i rezistencës dhe lirisë së shqiptarëve.

Prandaj është fyerje për çdo shqiptar kur politikanë që kanë dështuar në mbrojtjen e dinjitetit kombëtar vrapojnë drejt Prekazit për të bërë propagandë dhe për të përdorur emrin e familjes Jashari si mburojë për pazaret e tyre të pushtetit.

Sepse e vërteta që ju mundoheni ta fshehni është kjo:

Është hipokrizi të flisni për bashkim në Prekaz, ndërsa qeverisni krah për krah me Stoilkoviçin — njeriun që admironte politikën e Slobodan Milosheviçit dhe që sot ushqehet me projekte si “srpski svet”, të përkëdhelura nga Aleksandar Vuçiçi.

Mos e përdorni Prekazin për të mashtruar shqiptarët.

Sepse është hipokrizi të shkoni në atë vend të shenjtë në emër të bashkimit, kur të gjithë e dimë se këtë nuk e bëni për shqiptarët, por për të ruajtur pushtetin dhe për të përmbushur obligimet ndaj kumbarëve politikë — ndërsa po heshtni:

• kur nëpërkëmbet gjuha shqipe

• kur hiqen mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e shqiptarëve në punësim

• kur shqiptarët nënçmohen në polici, ushtri, spitale dhe institucione arsimore

• kur studentëve shqiptarë u mohohet e drejta të japin provime në gjuhën e tyre amtare

• kur stadiumet mbushen me kore raciste kundër ekipeve shqiptare

• kur partnerët tuaj të koalicionit shfryjnë mllefin ndaj shqiptarëve çdo ditë

Prekazi nuk është dekor për politikë të vogël.

Prekazi është amanet.

Amaneti i familjes Jashari nuk ishte që pushteti të mbahet duke qenë i dëgjueshëm ndaj padronëve, por që shqiptarët të jetojnë me dinjitet, barazi dhe krenari në tokën e tyre.

Prandaj, kur të hyni në Prekaz, të paktën ulni kokën dhe skuquni.
Sepse po shkelni mbi tokën që u la me gjakun e familjes Jashari — dhe ai gjak nuk mund të përdoret për të mbuluar pazaret tuaja politike.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz