Institucioni mikrofinanciar “Monego”, të cilit Banka Qendrore e Kosovës (BQK) më 6 dhjetor 2019 ua ka tërhequr licencën, së fundi ka marrë edhe një “goditje” nga Gjykata e Apelit në Prishtinë në kërkesën për masë të sigurisë, raporton portali “Front Online”.
Aksionari i “Monego-s” ka qenë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit për masën e sigurisë, siç është thënë, për ta mbrojtur kompaninë dhe interest e aksionarit deri në përfundim të rastit në institucionet vendore të drejtësisë, mirëpo, siç bëjnë të ditur burimet e portalit “Front Online” një kërkesë e tillë nuk është aprovuar nga Gjykata e Apelit në Prishtinë.
Përndryshe, sipas legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të vendoset masa e sigurisë, duhet të përmbushen tre (3) kushte: të ketë fakte se propozuesi i masës do të pësojë dëme të pariparueshme nëse masa e sigurisë nuk vendoset; masa e sigurisë nuk duhet të jetë në kundërshtim me interesin publik dhe; e njëjta të mos dëmtojë palën kundërshtar, gjegjësisht Bankën Qendrore të Kosovës.
Sipas ligjeve në fuqi, nëse masa e sigurisë nuk vendoset, Monego do të likuidohet.
Përndryshe, saktësisht para tre muajve Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që t’ua revokojë licensimin institucioneve mikrofinanciare “IuteCredit Kosova” dhe “Monego” për shkak të normave të interesit shumëfish më të larta në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend.