Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjegjësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut , ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
Në njoftim thuhet se MINT gjatë muajit prill 2026, ka vazhduar me verifikimin e ankesat e konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.
“Raportet zyrtare nga komisioni verifikues do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura.MINTI siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave, bazuar në gjetjet përkatëse.Inkurajojmë qytetarët të vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre, duke bashkëngjitur dëshmi, adresë dhe kontakt, përmes platformës së komunikimit në Viber: +383 46 311 000 dhe në adresën elektronike: [email protected]”./Lajmi.net/