Ministri i Kulturës u takua me përfaqësuesen e BE-së, Natalia Apostolova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka zhvilluar sot një takim pune me Natalia Apostolova, Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, me të cilën ka bashkëbiseduar rreth çështjeve të interesit të përbashkët dhe bashkëpunimit të MKRS-së me këtë zyre, në fushat specifike, që lidhen me kulturën, trashëgiminë kulturore, sportin dhe rininë.
Fillimisht ministri Shala i uroi Apostolovas mirëseardhje në Kosovë dhe u shpreh se MKRS-ja është e hapur që të bashkëpunojë ngushtë me zyrën e BE-së në Kosovë/PPBE në dobi të kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, dhe shtoi se MKRS-ja këtë zyre e konsideron tejet të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja Apostolova e falënderoi ministrin Shala për pritjen dhe u shpreh se bashkëpunimi me MKRS-në do të vazhdojë në fusha specifike që kanë të bëjnë me kulturën, rininë, sportin dhe veçmas me trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Lexo edheMKRS-ja themelon Parkun Arkeologjik “Ulpiana”
Po ashtu, me një theks të veçantë, ndërmjet ministrit Shala dhe përfaqësueses së posaçme së BE-së në Kosovë, Apostolova, u bisedua edhe rreth nevojës që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, nëpërmjet organizimit të takimeve të përbashkëta dhe bashkëbisedimit si rruga më e mirë për t’i trajtuar të gjitha çështjet e interesit të përbashkët dhe shqetësimet që lidhen me trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Më tej, Shala dhe Apostolova u shprehën se bashkëpunimi dhe bashkëbisedimi janë rruga më e mirë për të krijuar një klime të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe u zotuan se do të punojnë për një gjë të tillë. /Drenica Press/














