Milionat për kryetarin, varfëri për qytetarin, Petrit Hajdari, kërkon hetim urgjent nga Prokuroria për inçizimet e Lladrovcit

Një audio-incizim i publikuar dje ka tronditur opinionin publik në Drenas. Në të dëgjohet kryetari në largim i komunës duke bërë pazare me tokat komunale, sikur të ishin pronë e tij personale, duke llogaritur përfitime me shifra marramendëse prej 20, 15 e deri në 7.5 milionë euro.
Reagimi i parë publik ka ardhur nga kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit E. Hajdari, i cili e ka cilësuar këtë rast si “skandal të paprecedentë” dhe “turp institucional”. Sipas tij, qytetarët e Drenasit janë tradhtuar nga ai që u thirr në qeverisje me duar të pastra, ndërkohë që banorët ende përballen me mungesë uji të pijshëm dhe kushte të vështira jetese.
“Tokat e Drenasit janë pasuri e përbashkët e qytetarëve, jo bankë private e askujt – e aq më pak e kryetarit që ishte i obliguar t’i mbronte ato”, theksoi Hajdari, duke shtuar se kontrasti mes pazareve milionëshe dhe varfërisë së qytetarëve është fyerje për çdo familje të komunës.

Lexo edheBISEDË MILIONËSHE Incizimi i Lladrovcit për ndërtime milionëshe në pronë të komunës
Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet, duke e cilësuar si “detyrim ligjor e moral”, dhe ka paralajmëruar se çdo vonesë do të përbëjë “bashkëfajësi”.
Në deklaratën e tij, Hajdari premtoi se nëse merr drejtimin e komunës, Drenasi do t’i kthehet qytetarëve përmes një qeverisjeje transparente dhe të ndershme. “Kjo komunë nuk është pazari i askujt – kjo është shtëpia jonë e përbashkët dhe më 12 tetor do të fillojë të qeveriset si e tillë”, u shpreh ai.














