Xhorxh Soros po përgatitet të investojë në monedha virtuale, të konsideruara nga qeveritë perëndimore si asete aspak të sigurta.
Bloomberg thotë se Adam Fisher, menaxher i fondit familjar të Sorosit ka marrë aprovimin për të investuar në monedhat virtuale ku bëjnë pjesë Bitcoin, më e madhja ndër to.
Fondi familjar i investimeve të Xhorxh Sorosit arrin në 26 miliardë dollarë.
Vendimi konsiderohet i çuditshëm, pasi në Forumin Ekonomik të Davosit në Janar, Soros sulmoi me tone të ashpra monedhat virtuale.
Siç u shpreh ai, monedhat dixhitale janë shumë të paqëndrueshme dhe nuk mund të përdoren si monedha të zakonshme pasi mungojnë rregullat që garantojnë sigurinë e tyre.
Kjo deklaratë e Sorosit shkaktoi një rënie drastike të vlerës së Bitcoinit në Janar me rreth 4 mijë dollarë, duke thelluar edhe më tej tendencën e zhvlerësimit.
Prej dhjetorit kur arriti rekordin e 19 mijë dollarëve, vlera e 1 bitcoini është me shumë se përgjysmuar në rreth 6500 dollarë.
Bitcoini dhe dhjetëra monedha të tjera virtuale kanë forma të sofistikuara gjenerimi dhe nuk emetohen nga institucione të caktuara, çka e bën investimin në to aspak të sigurt.