BallinaLajmeLajmet e FunditMijëra njerëz marshojnë në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës

Mijëra njerëz marshojnë në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës

Rreth 7,000 persona janë nisur të martën në një marshim paqeje tre-ditor përmes pyjeve të Bosnjës lindore, për të përkujtuar viktimat e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995 – gjenocidi i vetëm i njohur zyrtarisht në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan AP, transmeton albinfo.ch.

Ky marshim vjetor prej 100 kilometrash ndjek rrugën e kundërt të asaj që ndoqën mijëra burra dhe djem boshnjakë myslimanë 29 vjet më parë, teksa përpiqeshin të iknin nga Srebrenica, e cila në atë kohë ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, por u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës. Mijëra prej tyre u kapën, u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan në mënyrë sistematike.

Në mesin e pjesëmarrësve të këtij viti është edhe Amir Kulagić, një i mbijetuar i rrugëtimit të vitit 1995, i cili këtë herë ndodhet aty për të mbështetur të birin dhe nipin e tij. “Vështirësia ime zgjati shtatë ditë e tetë netë,” kujton Kulagić me lot në sy. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk mund t’i bashkohej marshit këtë vit, por ndjehet krenar që familja e tij po e vazhdon rrugën e kujtesës dhe rezistencës, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Nirha Music, një shtetase amerikane e lindur pas luftës nga një nënë që i mbijetoi masakrës, marshon për herë të parë. “Po ecim për të parë se çfarë ka kaluar populli ynë. Nuk është e lehtë. E vetmja gjë që mund të mendoj është se kështu ishte kur na vrisnin dhe na mblidhnin për të na vrarë”, thotë ajo.

Pjesa më e madhe e viktimave të masakrës u ndoqën nëpër pyje dhe u vranë pa mëshirë. Trupat e tyre u hodhën në varreza masive, të cilat më vonë u zhvendosën për të fshehur gjurmët e krimit. Çdo vit, më 11 korrik – dita kur nisën vrasjet – bëhet rivarrosja e viktimave të identifikuara rishtas në varrezën përkujtimore në Potocari, afër Srebrenicës.

Deri më sot janë gjetur dhe varrosur mbetjet e mbi 6,700 viktimave. Shtatë viktima të tjera të identifikuara së fundmi përmes analizave të ADN-së do të rivarrosen këtë të premte.

Masakra e Srebrenicës është shpallur gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në Ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por mohimi dhe minimizimi i saj nga udhëheqësit serbë në Bosnje dhe Serbi vazhdon të mbetet një plagë e hapur në rajon.

- Advertisement -