Messi gjobitet nga MLS për goditjen ndaj kundërshtarit

Lionel Messi është gjobitur nga Major League Soccer për një incident të ndodhur në fund të ndeshjes mes Inter Miamit dhe Philadelphia Union, e cila përfundoi me rezultat 2-2.
Komiteti disiplinor i MLS-së i ka shqiptuar argjentinasit një gjobë, shuma e së cilës nuk është bërë publike, për shkelje të rregullores që ndalon kontaktet me duar në fytyrën, kokën apo qafën e kundërshtarit.
Incidenti ndodhi në minutat shtesë, kur Messi iu afrua Quinn Sullivanit, ndërsa topi ishte në një pjesë tjetër të fushës. Pas një shkëmbimi fjalësh, ylli i Inter Miamit e goditi Sullivanin në pjesën e pasme të qafës. Sulmuesi i Philadelphia-s iu përgjigj duke u përballur me Messin në një moment tensioni.
Arbitri Filip Dujic nuk e pa drejtpërdrejt incidentin dhe asnjëri prej dy lojtarëve nuk u ndëshkua me karton.

Lexo edheSot nis “show” i madh, fillon sezoni në top-ligat europiane
Për të njëjtën shkelje është gjobitur edhe mbrojtësi i Inter Miamit, Ian Fray.
Ndërkohë, në një përplasje tjetër në kohën shtesë, arbitri përjashtoi me karton të kuq Cavan Sullivanin, vëllain më të vogël të Quinn, si dhe mesfushorin e Inter Miamit, Yannick Bright.














