Mesfusha e Man Utd merr formë, 70 milionë euro për Balebën

Pas rikthimit në Ligën e Kampionëve pasi e mbylli sezonin 2025/26 të Premierligës në vendin e tretë, Manchester United vazhdon ta ndërtojë një skuadër në përputhje me ambiciet e reja.
Drejtuesit e “Djajve të Kuq” e kanë konfirmuar besimin te trajneri Michael Carrick dhe kanë vendosur ta përforcojnë veçanërisht mesfushën, e cila tashmë është përforcuar me afrimet e Andrey Santos dhe Youri Tielemans.
Për brazilianin e Chelseat, United i investoi 56 milionë euro, ndërsa për mesfushorin belg i pagoi 41 milionë euro te Aston Villa.
Por tregu i repartit të mesfushës mund të mos ketë përfunduar ende.
Sipas mediumit britanik “The Athletic”, klubi nga “Old Trafford” është në negociata të avancuara me Brightonin për Carlos Balebën, mesfushorin kamerunas të lindur në vitin 2004, i cili është shndërruar në një nga profilet më interesante të Premierligës, përcjell “Gazeta Express”.
Manchester United ka paraqitur një ofertë të parë prej 70 milionë eurosh, plus 6 milionë euro bonuse, por propozimi ende është më i ulët se kërkesat e Brightonit.

Lexo edhe“I duhet trajtim i përhershëm”, neurologu e sqaron problemin e Musialas
“Seagulls” e kërkojnë një shumë më të lartë për ta lejuar largimin e lojtarit, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2028.
Baleba iu bashkua Brightonit nga Lille në verën e vitit 2023 për rreth 27 milionë euro dhe vlera e tij është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve të tij në futbollin anglez.
Interesi i Man Utd për Balebën nuk është i ri. “Djajtë e Kuq” e kishin menduar transferimin e tij edhe një vit më parë, por në atë kohë Brightoni ia kishte vendosur një çmim prej rreth 140 milionë eurosh, i konsideruar i tepruar nga klubi anglez.
Tani distanca mes dy klubeve duket se është zvogëluar dhe operacioni mund të hyjë në fazën vendimtare. /Gazeta Express














