Qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme pasi Lëvizja Vetëvendosje vendosi që ta dërgojë te presidentja Vjosa Osmani, emrin e dytë për ta nominuar si kryeministër.
Edhe pse ende zyrtarisht LVV nuk na dorëzuar emrin te Osmani, i mbetet pastaj kësaj të fundit të vendos se si do të veprojë.
Derisa disa qytetarë ishin pro këtij propozimi, kishte të tjerë që mohonin një propozim të tillë, duke thënë se ata kanë gënjyer qytetarët.
Qytetari Sali Sejdaj tha se nëse vjen Konjufca, do të jetë mirë për popullin, por jo për opozitën.
“Shumë shkëlqyeshëm, po po ata e duan partitë e tjera po e duan partin opozita me Kurtin kanë lidhur inat, jo shumë të mirë, kanë lidhur inat sepse është shumë i fortë Albin Kurti për atë arsye. Dhe nëse vjen Konjufca e njëjta gjë është shumë bukur për neve po për opozitën prapë nuk është mirë sepse nëse bëhen prapë çka i kanë fituar në mënyrë jo të ligjshme kanë me iu konfiskuar, kanë për t’i hequr për atë arsye po mërziten këta, po lidhen koalicionet njëri me tjetrin por prapë nuk është mirë”, tha Sejdaj.
Qytetari Liridon Raqi tha se do të ishte “mrekulli” nëse Glauk Konjufca bëhet kryeministër, pasi kjo do të ndihmonte vendin të dalë nga kriza.
Ai theksoi se nuk është simpatizant i asnjë partie, por beson se kjo ndryshim është i domosdoshëm sepse “populli është lodhur dhe ka humbur besimin”.
“Unë e kam pritur me gëzim të jashtëzakonshëm për arse se po besoj se opozita tash nuk ka arsye pse mos ta votojmë për mos të ngecur populli në këtë kaos në këtë gjendje që po i kushton më së forti buxhetit të Kosovës, sepse populli i Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare e ka humbur besimin tek organet tona kompetente për këtë arsye dmth është një mrekulli nëse vendoset dhe bëhet Glauku kryeministër dhe besoj që duhet bërë patjetër. Nuk jam simpatizant i Kurtit dhe nuk jam në asnjë parti po besoj që do ja vendoj kapakun e kësaj pune është mirë për tu bërë sepse jemi lodhur dhe stërlodhur …. dhe ne na ka humbur besimi plotësisht” Tha Raqi.
Dibran Gashi tha se nuk beson që Konjufca apo Kurti do të arrijnë t’i fitojnë votat, pasi “deri tani nuk i kanë pasur dhe as tash nuk do t’i kenë”.
Ai shtoi se do të ishte mirë të zgjidhet një qeveri për të shmangur dy palë zgjedhje, pasi vendi tashmë përballet me probleme buxhetore dhe shëndetësore.
“Për Glauk Konjufcën a sot qenka shpallur, prapë njëjtë si Albini, si Konjufca për mua por kanë shfrytëzuar rastin për arsye se nuk kanë drejtë dy herë një kandidatë dhe e kanë shfrytëzuar rastin të shohim tash votat, a do t’i fitoj por unë nuk besoj që i kanë mundësit me i fituar votat për zgjedhje sepse nuk i kanë votat deri tash nuk i kanë pas se besoj që nuk do t’i kanë sërish. Nëse i kanë ka qenë mirë sërish me zgjedh një qeveri çfarë do të jetë ajo për arsye mos të bëhen dy palë zgjedhje sepse edhe ashtu mjaftë ka telashe të mëdha buxhetore ka tjera probleme shëndetësore shumë që e dëmtojnë vendin”, tha Gashi.
Halil Krasniqi tha se “e kanë mashtruar popullin” dhe fajet i ka Vjosa Osmani, që po përzihet me ata.
“Po çfarë Glauku pash Zotin….E kanë mashtruar popullin, çfarë po doni më shumë këta janë gënjeshtarë po po përzien Vjosa me ta, Vjosa i ka fajet.”, tha ai.