Deputeti Mergim Lushtaku u lind në Skenderaj. Ai është i diplomuar në Shkencat Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa pret mbrojtjen e temës së diplomës së masterit në Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Gjatë periudhës studentore, për disa vite (2005-2009), ka qenë Pjesë e Parlamentit Studentor, si i zgjedhur i studenteve në organet e ndryshme të vendimmarrjes në Universitet, si Kryetar i Parlamentit Studentor, Senator, Antar ex-officio në Bordin e UPHP etj. Por pozitën e parë zyrtare, pas diplomimit, e ka fituar në vitin 2010. Ai është emëruar Koordinator për Integrime Evropiane në Departamentin për Menaxhimin e Reformës së Administratës Publike dhe Integrimeve Evropiane në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Ka qenë drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në Ministritë e linjës, konkretisht në periudhën 2011 – 2017. Ndërsa në fund të vitit 2015 ishte emëruar nga Qeveria si Drejtor i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Iber-Lepenc”. Ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai është renditur si deputeti i tretë më i votuar nga radhët e PDK-së.
Aktualisht Lushtaku jeton në Prishtinë me bashkëshorten Shehiden dhe tre fëmijët, Virtytin, Urtinën dhe Elitën.
Në këtë intervistë për Gazeta e Re, Lushtaku ka folur për prioritetet e tij pas zgjedhjes si deputet i Kuvendit të Kosovës, efikasitetin e legjislaturës së gjashtë, çështjet potencialisht të vështira me të cilat mund të përballet Kuvendi si dhe kandidaturën e kandidatit të pavarur për Skenderajn, Bekim Jashari dhe përkrahjen nga ana e partisë së tij.
GeR: Z. Lushtaku kjo është hera e parë që jeni zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. A na thoni për fillim cila fushë e angazhimit tuaj përgjatë këtij mandati do të jetë prioritet i juaj?
Lushtaku: Kuvendi i Kosovës vetëm sa ka filluar të punojë. Do të konsolidohen komisionet parlamentare, dhe në varësi të çfarë komisioni do të caktohem, do angazhohem dhe jap kontributin tim në atë komision, përtej diskutimeve në seancat parlamentare. Prioriteti im do të jetë në kontributin tim që do të jap, në bashkëpunim me ekspertë, në komisionet parlamentare për të shtyrë përpara ligje që janë funksionale dhe në dobi të qytetarëve.
GeR: Prej fillimit të punës së legjislaturës aktuale të Kosovës, kur edhe u betuat e deri më sot nuk ka kaluar edhe aq kohë për të vlerësuar punën e deputetëve, por do të donim të dinim, cili është mendimi juaj, sa do të jetë efikase përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës në punën dhe detyrat e tij?
Lushtaku: Nuk e di saktë dhe s’mund ta parashikoj se çfarë na pret të ardhmen në Kuvendin e Kosovës, por deputetët e Kosovës, qoftë të pozitës e qoftë ata të opozitës, përtej lojës politike, në çështje të cilat janë në interes të vendit me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të vendit tonë në përgjithësi, duhet të jenë bashkë dhe mendoj se jemi bashkë. Flamujt partiakë duhet të bien poshtë para flamurit të shtetit. Në këtë mandat qeverisës opozita është e fuqishme, jo vetëm në aspektin e numrave por edhe ka deputetë që vërtetë janë ekspertë në fusha të ndryshme dhe me një gatishmëri e bashkëpunim të sinqertë në interes të Kosovës, duke qenë konstruktiv, mund të bëjmë punë që do të mbahen në mend për të mirë. Uroj që asnjëri nga deputetët mos t’i zhgënjejmë votuesit tanë, e të cilësohemi si ‘legjislatura më e dobët’.
















