Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj është i ftuar në VV Show me Vehbi Kajtazin dhe Visar Ymerin.
Ai ka treguar për jetën e tij si mërgimtar e si biznesmen që u kthye për të investuar në vendlindje.
Dreshaj tha se ka migruar për një jetë më të mirë në vitet e 80-ta e shton se tashmë ka dallime me diasporën aktuale dhe të atëhershme.
“Diaspora e viteve të para, ka qenë ajo diaspora që kanë ardhë një herë në vit, e kanë ble një pastërma e ia kanë çu lek’t babës e nanës”, tha ai.
“Ajo gjeneratë tashmë ka avancuar kanë punë të mira e kanë investuar shumë”, shtoi Dreshaj.
Si një person me lidhje të forta me akterë të institucioneve gjermane tha se “Berlini nuk është i kënaqur me disa gjëra”.
“Berlini nuk është i kënaqur me dy gjëra, drejtimin që po merr qeveria dhe me partinë motër të vetën, LDK-në. Mendoj se nuk i ka hije sepse po i pren hijet e veta, prej që ka vdekë presidenti Rugova”, deklaroi në VV Show.
Analisti Visar Ymeri tha se Lëvizja Vetëvendosje e përdor diasporën si mjet për qëllime elektorale, me çka u pajtua edhe Dreshaj.
“Ne kemi Një milionë qytetarë në diasporë, 450 mijë kanë shkuar në 20 vitet e fundit në Gjermani. Në Hamburg, nuk kam krijuar asnjëherë degë, sepse jemi të gjithë shokë, jemi miq e jam kundër përçarjes së diasporës. Ai që don ma jep votën, ai që nuk don nuk ma jep. Por ju lutem, me respekt të madh. Mërgata ka një milionë njerëz, Vetëvendosje po arrin me i organizu 30-40 mijë. Realiteti është që ne jemi tërheqë, sepse mërgata ka dashtë mos me pas përçarje politike”, tha ai.
Tutje tha se organizimi është më i mirë nga partia në pushtet, porse diaspora nuk është e vetëm një partie.
“Ne kemi pas një kërkesë që nëse do përfshihemi, zgjedhjet të mbaheshin në verë, atëherë kemi gjashtë javë pushim. Jemi të informuar. Pse i merr VV-ja ato vota, i merr sepse është një gjeneratë e “iphone” dhe janë një gjeneratë e pakënaqur. Dikush që ka punë si unë nuk ka shumë mundësi me shku e me e ndjekë fletëvotimin. Janë më të organizuar, por kurrsesi nuk është e përqendruar diaspora vetëm në një parti”, tha ai.
Po ashtu, Dreshaj shton se tashmë ka ndërruar akoma më shumë. Sipas tij, edhe opozita gëzon mbështetje në diasporë.



