Xhenxhefili është një bimë që mund të kultivohet shumë lehtë edhe në ballkon. Duke përdorur një vazo normale, ose një bidon plastik. Kjo është një bimë me origjinë nga Lindja e Largët dhe importi i saj bëhet kryesisht nga Kina.
Nëse e kultivoni në shtëpinë tuaj, do ta keni gjithnjë të freskët dhe kështu që ju mund ta përdorni në çdo moment, për vetitë e tij të pakrahasueshme. Xhenxhefili është i përkryer për përgatitjen e çajrave për parandalimin dhe trajtimin e gripit, kollës, fytit të acaruar apo të ftohurit.
Efektet e tij pozitive për shëndetin janë në testim të vazhdueshëm nga bota e shkencës. Ekstrakti i xhenxhefilit është konsideruar si një kortizon i mirë, qetësues dhe zëvendësues i ibuprofenit, në rastin e artriteve. Xhenxhefili parandalon dhe lehtëson të përzierat, edhe ato të shtatzënisë.
Ai ndihmon për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak dhe tretjen.
Këshilla
Zgjidhni xhenxhefil të freskët më mirë sesa atë të tharë, pasi efekti nuk është i njëjtë. Xhenxhefilin mund ta hasni në tre ngjyra: të verdhë, të bardhë dhe të kuq, kjo në varësi të llojit të tij. Kur blini xhenxhefil të freskët, kini parasysh që ai të jetë i butë dhe pa myk.
Në market ai gjendet në dy forma: i freskët dhe i maturuar. Këtij të fundit duhet t’i hiqet lëkura. Ndërsa në Azi nuk është e nevojshme një gjë e tillë, kjo për arsyen se në këtë kontinent ai gjendet gjithmonë i freskët.
Kultivimi
Për të filluar kultivimin e xhenxhefilit ju duhet një copë xhenxhefil, që mund ta keni blerë pak kohë më parë. Nëse nuk keni, preferohet që të merrni rrënjë organike të xhenxhefilit, që mund t’i gjeni në çdo dyqan farërash. Në qoftë se rrënjët kanë filluar të dalin, kultivimi mund të jetë më i thjeshtë.
Xhenxhefili shiten edhe në supermarket dhe për ta mbjellë këtë lloj xhenxhefili duhet që në fillim ta lini në një enë me ujë për 12 orë. Ky hap nuk është i detyrueshëm.
Ashtu si në kultivimin e patates, një rrënjë e vetme xhenxhefili mund të zhvillohet në shumë rrënjë të tjera dhe ju mund ta ndani në disa pjesë, secila me filiz më vete.
Kur ta mbillni?
Rekomandohet që të filloni kultivimin në vjeshtë, ose në fund të dimrit, sepse mbirja e rrënjëve është më e lehtë me rritjen e temperaturave në fillim të pranverës.
Por gjithsesi nuk ka një ndarje kohore, sepse xhenxhefili rritet në çdo kohë të vitit. Në dimër, fidanet ju mund t’i mbani në vazo, duke i mbajtur larg ngricave, t’i transferoni ata në një mjedis të brendshëm.
Bimët e xhenxhefilit e duan të ngrohtin dhe lagështinë, por nuk e durojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë në rrezet e diellit. Ju mund të merrni prodhimin e xhenxhefilit tuaj pas pesë apo gjashtë muajsh.
Koha më e mirë për vjelje, si në rastin e patateve, do të jetë kur gjethet e bimës të jenë plotësisht të thara, proces që mund të zgjasë deri në 10 muaj, në varësi të temperaturës, motit dhe zonave ku rritet.
Ta kultivosh xhenxhefilin në vazo
Merrni një vazo të paktën 30 cm të gjerë, të rrumbullakët ose në formë drejtkëndore. Vazo duhet të jetë e thellë, që rrënjët e xhenxhefilit të kenë mundësi të rriten me lehtësi, në sajë të një hapësirë më të madhe. Në pjesën e poshtme të vazos vendosni copëza më të mëdha dheu.
Nëse vazoja është plastike, mund të vendosni edhe një mbulesë, si për shembull një pëlhurë e thurrur rrallë. Kjo veshje do ta ndihmojë lagështinë e vazhdueshme në vazo. Rrënjët vendosini disa centimetra nga sipërfaqja e dheut.
Njomeni sipërfaqen e dheut një herë në ditë, me spraj, mundësisht në mbrëmje. Vazhdoni me të njëjtin trajtim edhe kur filizat të jenë rritur.
Kjo është një bimë shumë rezistente dhe është e vështirë që të preket nga sëmundje apo dëmtues, pasi xhenxhefili vetë ka veti antibakteriale dhe antimikrobiale. Por frika e kalbjes së rrënjëve ekziston gjithmonë, pasi ato mund të pengojnë rritjen e bimës.
Xhenxhefili duhet të ujitet pak dhe shpesh, për të mbajtur sipërfaqen e dheut të lagësht. Temperaturat ideale për xhenxhefilit janë më të larta se 12-15 gradë. Në dimër është më mire që ta mbroni bimën në një vend larg ngricave.
Temperatura ideale për mbirjen e filizave është midis 22 dhe 25 gradë. Por shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në rrezet e diellit./ushqime.net/