Sipas një raporti mediatik, Presidenti i SHBA Trump po shqyrton vendosjen e trupave tokësore për të nxjerrë afërsisht 400 kilogramë uranium të pasuruar shumë, të futur thellë nën objektet bërthamore iraniane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli po vazhdojnë sulmet e tyre masive në Iran, ndërsa lufta hyn në javën e saj të pestë. Po a po planifikon Presidenti i SHBA, Donald Trump një ofensivë tokësore në Iran ? Sipas Wall Street Journal, që citojnë zyrtarë amerikanë, Presidenti i SHBA, Donald Trump aktualisht po vlerëson se sa e rrezikshme do të ishte një operacion për nxjerrjen e uraniumit për trupat tokësore. Thuhet se Presidenti ende nuk ka marrë një vendim. Megjithatë, Trumpi është përgjithësisht i hapur ndaj kësaj ideje, pasi një operacion ushtarak i tillë mund t’i ndihmojë të arrijë qëllimin e tij kryesor – pra, të parandalojë që Irani të prodhojë ndonjëherë armë bërthamore.
Përpara se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të nisnin sulmet ajrore kundër Iranit qershorin e kaluar, gjatë të cilave u bombarduan tre objekte bërthamore, vendi zotëronte, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), më shumë se 400 kilogramë uranium me një pastërti prej 60%. Për prodhimin e armëve bërthamore, kërkohet një pastërti mbi 90%. Sipas vlerësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të IAEA-së, Grossi, uraniumi ndodhet kryesisht në tunele nëntokësore dhe vende depozitimi në objektet bërthamore të Isfahanit dhe Natanzit, të dyja të cilat u bombarduan nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli qershorin e kaluar.
Ishulli Kharg në fokus të planeve për ofensivë tokësore

Washington Post kishte raportuar më parë gjithashtu për planet për një ofensivë tokësore. Planet janë tashmë në një fazë të avancuar dhe përfshijnë operacione tokësore nga forcat speciale dhe trupat tokësore konvencionale në ishullin Kharg – i cili është jetik për eksportet e naftës iraniane – si dhe në vende bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit, raporton gazeta. Vetë Trumpi mbeti i paqartë kur foli për Financial Times: “Ndoshta do ta marrim ishullin Kharg, ndoshta jo. Ne kemi shumë opsione.” Irani trajton rreth 90 për qind të eksporteve të tij të naftës përmes Khargut. “Për të qenë i sinqertë, do të preferoja ta largoja naftën nga Irani,” tha Presidenti amerikan.
Pentagoni kishte urdhëruar dislokimin e rreth 10.000 trupave të trajnuara për kapjen dhe sigurimin e territorit. Sipas ekspertëve, një sulm ndaj Khargut do të ishte i rrezikshëm. Pasi të ishte kapur dhe pushtuar ishulli, ushtarët amerikanë mund të bëheshin objektiv i lehtë për sulmet iraniane.
Irani paralajmëron SHBA të mos nisë ofensivë tokësore
Kryetari i Parlamentit iranian, Ghalibaf i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër përshkallëzimit. Ai pretendoi se Uashingtoni po sinjalizonte një gatishmëri për të negociuar, por po planifikonte fshehurazi një sulm tokësor. Ai e përshkroi këtë si taktikë diversioni. Irani tha se është i përgatitur dhe nuk do të pranojë asnjë poshtërim. Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane i tha transmetuesit shtetëror IRIB se një ofensivë tokësore ose pushtimi i çdo pjese të territorit iranian do të ishte një “ëndërr e kotë” – dhe se ata thjesht po prisnin një veprim të tillë. /DW