Vendosjen e shtyllave të tensionit të lartë e kanë kundërshtuar një pjesë e banorëve të fshatit Llapushnik të Drenasit, raporton KTV.
Punimet janë zhvilluar nën përkujdesjen e policisë, pasi në këto dy ditë, ka pasur edhe të arrestuar.
Sipas Xhevdet Krasniqit, ata janë paralajmëruar se kalimi i kabllove të tensionit të lartë fare afër shtëpisë së tyre, paraqet rrezik për ta. Anëtarët e familjes Krasniqi shprehen të vendosur që pavarësisht pasojave, të mos lejojnë vendosjen e shtyllave.
Por, pretendimet se ka rrezik për banorët e Llapushnikut, i hedh poshtë biznesmeni Fehmi Krasniqi, që po e paguan këtë projekt.
Krasniqi, pronar i biznesit “Jora Center”, pas problemeve të shumta me tensionin e ulët, kishte kërkuar nga KEDS-i që t’i mundësohet qasje në tensionin e lartë. Dhe, traseja nga kalonin shtyllat e vjetra, ishte vendosur nga KEDS-i për vendosjen e shtyllave të reja.
Për vendosjen e shtyllave të reja, Krasniqi kishte marrë leje-pëlqimi edhe nga komuna e Drenasit, të cilën e kishin dhënë pas daljes dhe inspektimit në vendin e ngjarjes.