Marshi më i madh i organizuar në historinë e Kosovës së lirë, ka qenë ai i sotmi në sheshin “Skënderbeu”, “Drejtësi, jo politikë”.
“Liria ka emër”, të cilët e kanë organizuar, kanë thënë se mbi 130 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në këtë marsh, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
“Sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës ishin të stërmbushura me qytetarë nga të gjitha komunat e vendit, nga rajoni, diaspora dhe përtej oqeanit. Prania masive, organizimi qytetar dhe mesazhi i qartë e shndërruan këtë marsh në një moment historik të solidaritetit dhe qëndresës qytetare. Fatkeqësisht, me mijëra qytetarë të tjerë mbetën të bllokuar në trafik, në hyrje dhe dalje të ndryshme të kryeqytetit, gjatë ardhjes në Prishtinë. Fluksi i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve dëshmon për përmasat reale të kësaj mobilizimi mbarëkombëtar”, ka njoftuar “Lira ka Emër”.
Ata kanë thënë se as shiu e as vështirësi logjistike nuk e kanë zbehur vendosmërinë për të kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
“Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për secilin qytetar, për çdo familje, për të rinjtë, për mërgatën dhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë mobilizim historik. Ky marsh dëshmoi qartë: kur populli flet, ai flet me dinjitet, me përgjegjësi dhe me zë të fuqishëm. Drejtësi, jo politikë. Liri për çlirimtarët”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/
Njoftimi i plotë: