BallinaLajmeLajmet e FunditMbi 2 mijë viktima nga i nxehti/ Evropë, qershori temperaturë deri 46...

Mbi 2 mijë viktima nga i nxehti/ Evropë, qershori temperaturë deri 46 gradë celcius

Rreth 2,300 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë në 12 qytete evropiane gjatë valës së rëndë të të nxehtit që përfundoi javën e kaluar, sipas një analize shkencore të publikuar të mërkurën.

Studimi synonte 10 ditët, që përfunduan më 2 korrik, gjatë të cilave pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore u goditën nga nxehtësia ekstreme, me temperatura që tejkaluan 40 gradë celsius në Spanjë dhe zjarre që shpërthyen në Francë, raporton Reuters

Nga 2,300 njerëzit që vlerësohet se kanë vdekur gjatë kësaj periudhe, 1,500 vdekje ishin të lidhura me ndryshimin e klimës, gjë që e bëri valën e të nxehtit më të rëndë, sipas studimit të kryer nga shkencëtarët në Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine.

“Ndryshimi i klimës e ka bërë atë dukshëm më të nxehtë se sa do të kishte qenë, gjë që nga ana tjetër e bën atë shumë më të rrezikshme”, ka thënë Dr. Ben Clarke, një studiues në Imperial College London.

Studimi mbuloi 12 qytete duke përfshirë Barcelonën, Madridin, Londrën dhe Milanon, ku studiuesit thanë se ndryshimi i klimës kishte rritur temperaturat për 4 gradë celsius.

Studiuesit përdorën modele epidemiologjike të përcaktuara dhe të dhëna historike të vdekshmërisë për të vlerësuar numrin e vdekjeve, i cili pasqyron vdekjet ku nxehtësia ishte arsyeja themelore e vdekshmërisë, duke përfshirë edhe nëse ekspozimi përkeqësoi gjendjet shëndetësore para-ekzistuese.

Shkencëtarët thanë se përdorën metoda të rishikuara nga kolegët për të nxjerrë shpejt numrin e vdekshmërisë së vlerësuar, sepse shumica e vdekshmërive të lidhura me nxehtësinë nuk raportohen zyrtarisht dhe disa qeveri nuk i publikojnë këto të dhëna.

Muaji i kaluar ishte qershori i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në planet, pas të njëjtit muaj në vitet 2024 dhe 2023, ka thënë Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus i BE-së në një buletin mujor të mërkurën.

Evropa Perëndimore përjetoi qershorin e saj më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, me pjesën më të madhe të rajonit që përjetoi “nxehtësi shumë të fortë” – të përcaktuar nga kushte që ndihen si një temperaturë prej 38 gradë celsius ose më shumë, tha Copernicus.

“Në një botë që po ngrohet, valët e nxehtësisë ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe të ndikojnë më shumë njerëz në të gjithë Evropën”, ka thënë Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike e Copernicus për klimën.

Studiues nga institutet evropiane të shëndetit raportuan në vitin 2023 se deri në 61,000 njerëz mund të kenë vdekur në valët e të nxehtit përvëlues të Evropës në vitin 2022, sipas një studimi të ri, duke sugjeruar se përpjekjet e vendeve për përgatitjen për nxehtësinë po dështojnë në mënyrë fatale.

Akumulimi i emetimeve të gazrave serrë në atmosferë të cilat vijnë kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, do të thotë se temperatura mesatare e planetit është rritur me kalimin e kohës.

Kjo rritje e temperaturave bazë do të thotë që kur vjen një valë e të nxehtit, temperaturat mund të arrijnë majat më të larta.

- Advertisement -