“Kjo është një fitore e popullit serb, e bashkimit dhe solidaritetit serb” – kështu e përshkroi Lista Serbe fitoren e saj në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Lista Serbe humbi pjesë të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Rënia e mbështetjes u ndikua nga shfaqja e kandidatëve të rinj në disa komuna.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përdor fitoren e Listës Serbe për të ruajtur ndikimin politik, por edhe për pushtetin e vet në Serbi, sipas analistëve.
E njëjta situatë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur Lista Serbe e fitoi rundin e dytë.
Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, në shumicën e komunave me shumicë serbe vërehet rënie e mbështetjes për këtë parti.
Ky trend është veçanërisht i dukshëm në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe mori 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.
Katër vjet më parë, kjo parti, e mbështetur nga Beogradi, kishte marrë rreth 91% të votave.
Një ndryshim këtë herë ishte se serbët në këtë komunë mund të votonin edhe për gjashtë kandidatë të tjerë serbë.
Mitrovica e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri – Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi – u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave.
Rezultatet e Listës Serbe më 2021 dhe 2025
Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe: Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Parteshi, Ranillugu dhe Kllokoti në jug, dhe Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku në veri.
Lista Serbe ka fituar bindshëm në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e 12 tetorit, 2025, por në shumicën e komunave u shënua një rënie e mbështetjes për të, krahasuar me vitin 2021.
Leposaviq: Rreth 70% më 2025; 97% më 2021
Zubin Potok: Rreth 70% më 2025; 83% më 2021
Zveçan: 86% më 2025; 98% më 2021
Graçanicë: 62% më 2025; 77% më 2021
Ranillug: 71% më 2025; 100% më 2021
Novobërdë: 63% më 2025; 62% 2021
Shtërpcë: 59% më 2025; 59% më 2021
Partesh: 89% më 2025; 75% më 2021
Kllokot: Zgjedhjet shkojnë në rund të dytë.
Në Graçanicë, për herë të parë mori pjesë edhe një kandidat nga komuniteti shqiptar, i mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare – gjë që ndikoi pjesërisht në rezultatin e Listës Serbe.
Politikologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se në zgjedhjet lokale të së dielës, serbët në Kosovë kishin alternativa ndaj Listës Serbe në të gjitha komunat – ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore.
Kjo, sipas tij, ndikoi disi në rënien e mbështetjes për të.
Si alternativë ndaj Listës Serbe në komunat me shumicë serbe në këto zgjedhje ishin: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca e Kosovës e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare.
“Kanë dalë kandidatë të rinj… Nëse nuk do të kishte rënie të mbështetjes për Listën Serbe, nuk do të kishte vota për partitë tjera. Vetë fakti që kanë dalë grupe të reja, tregon se ka mendime të reja, disponim të ri, nevojë për një alternativë”, thotë Gogiq.
Ai shton se mbështetja për Listën Serbe në Kosovë nuk mund të interpretohet kurrë si mbështetje për korrektësinë e politikave të saj, por më tepër si nevojë që serbët të ruajnë pushtetin në komunat ku përbëjnë shumicën, por edhe marrëdhëniet e tyre me Beogradin.
Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi shumicën e këshilltarëve në kuvendet komunale, por vende këshilltarësh siguruan edhe partitë e tjera.
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, beson se nuk ka alternativë të vërtetë ndaj Listës Serbe dhe se mbështetja që kanë marrë subjektet e tjera politike, është “maksimumi i tyre”.
“Komuniteti serb në Kosovë po përjeton një gjendje që [ish-udhëheqësi serb, Sllobodan] Millosheviq e ka quajtur pluralizëm jopartiak. Pra, dominimi i një partie është bllokadë ndaj sistemit shumëpartiak… Kjo është shkolla e menaxhimit të konfliktit: ‘Pse ju duhen komplikime me komunitetin demokratik serb’? Nuk ju duhen”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se në vitin 2013, kur po formohej Lista Serbe, disa politikanë – si Oliver Ivanoviq dhe Nenad Rashiq – i rezistuan monopolit dhe sistemit njëpartiak, por pa sukses.
Janjiq, gjithashtu, beson se bashkësia ndërkombëtare “e toleron” monopolin e Listës Serbe dhe përmend si shembull shkuarjen kolektive të qytetarëve në zgjedhje, me në krye zyrtarët e Listës Serbe.
“Pra, ku në Evropë është në rregull që njerëzit të hyjnë në qendrat e votimit në grup prej tre vetash? Le të ma shpjegojë këtë Peter Sorensen [i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi]”, thotë Janjiq.
Një praktikë e tillë – e shkuarjes kolektive në votime – u vu re edhe në zgjedhjet e 12 tetorit.
Çfarë do të thotë fitorja e Listës Serbe për Vuçiqin?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që shpalli fitoren e Listës Serbe në nëntë komunat me shumicë serbe, duke vënë në dukje se komuna e Kllokotit shkon në rund të dytë.
Në një bisedë telefonike të dielën me zyrtarë të kësaj partie, e cila u formua me mbështetjen e tij, Vuçiq tha: “Ia dolëm, ata nuk mund të heqin emrin dhe mbiemrin serb”.
Më pas, në një konferencë për media, Lista Serbe e falënderoi Vuçiqin për mbështetjen e dhënë.
Janjiq vlerëson se mesazhi i Vuçiqit ishte, në fakt, se ai ka fituar në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dhe se ky është një sinjal për komunitetin ndërkombëtar se mund të llogarisë tek ai.
“A është e vërtetë kjo? Përkohësisht po. Në këtë pikë, Vuçiq duhet të merret me normalizimin e marrëdhënieve [me Kosovën], për të zgjeruar sundimin e tij në Serbi. Ai ka nevojë për këtë kartë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë ai.
Gogiq vë në dukje se Vuçiq shpalli i pari rezultatet e Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke shtuar se ky veprim është i drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm në Serbi.
“Ai duhet të tregojë se po fiton diku. Kemi protestat e studentëve, sanksionet ndaj NIS-it [Industrisë së Naftës së Serbisë]… dhe e ka të nevojshme të tregojë se politika e tij po jep rezultate”, thotë Gogiq.
Megjithatë, ai vlerëson se fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale mund të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi kjo parti dhe Beogradi çuan mesazhe konstruktive se duan të rikthehen në institucionet e Kosovës.
Një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, tha se fitorja e Listës Serbe “do të thotë se populli serb ka një të ardhme, se kjo parti është garantuese e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.
Duke folur për Televizionin serb Pink, ai tha se rëndësia e fitores së Listës Serbe është më e madhe, sepse përfaqëson “kthimin e serbëve në komunat e tyre në veri të Kosovës”.
Përndryshe, Beogradi zyrtar e mbështeti vendimin e Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e kërkoi kthimin e tyre në shtator të vitit 2024./Radio Evropa e Lirë