Në marrëveshjen më të madhe të eksportit në historinë e vendit, partnerët e zonës së gazit Leviathan në Izrael kanë nënshkruar marrëveshje 35 miliardë dollarëshe për furnizim energjie me Egjiptin deri në vitin 2040.
Sipas The Times of Israel, lajmi është bërë i ditur nga NewMed, një nga partnerët në projekt.
Bëhet e ditur se sipas marrëveshjes, Leviathan, që ka rezervat prej rreth 600 miliardë metra kub gaz, do të shesë rreth 130 miliardë metra kub gaz në Egjipt deri në vitin 2040. Ndërsa, gazrat do të transportohen përmes tubacioneve.
Raportohet se në fazën e parë, që fillon në 2026, do të furnizohen 20 miliardë metra kub gaz, ndërsa faza e dytë do të nisë pas zgjerimit të Leviathan dhe ndërtimit të një tubacioni të ri nga Izraeli në Egjipt.
Kjo marrëveshje pritet të lehtësojë krizën energjetike në Egjipt, që prej vitit 2022 ka parë rënie të prodhimit të tij të gazit dhe është detyruar të importojë sasi të mëdha gazi natyror të lëngshëm (LNG).
Ndërsa dihet se, projekti i zgjerimit të Leviathan, me një kosto prej rreth 2.4 miliardë dollarësh, do të sigurojë furnizim energjie në Izrael dhe rajon deri në vitin 2064.
Kujtojmë se Leviathan – e zbuluar në vitin 2010 – është një nga zonat më të mëdha të gazit natyror nën det në Mesdheun Lindor, që ndodhet në zonën ekonomike ekskluzive të Izraelit.
Kjo zonë ka rezerva të mëdha të gazit natyror – rreth 600 miliardë metra kub – dhe është një burim kyç energjie për Izraelin dhe vendet fqinje, duke përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë.