Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Gashiq, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për “terrorizëm dhe spastrim etnik” nën petkun e luftës kundër krimit.
Maqedonci e ka quajtur këtë deklaratë si vazhdim i retorikës destabilizuese të presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe një frymë ideologjike që lidhet me kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq.
“Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai thekson se suksesi i Qeverisë Kurti në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit po i pengon Serbisë, e cila sipas tij, është mësuar me një Kosovë të dobët dhe të varur.
“Kjo fushatë kundër shtetit tonë është ashpërsuar dukshëm si pasojë e sukseseve të prekshme të Qeverisë dhe institucioneve të udhëhequra nga Kryeministri Albin Kurti, në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës, forcimin e administratës dhe rregullësisë shtetërore, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe jetës së çdo qytetari, pa dallim”, shtoi ai.
Maqedonci ka cilësuar si kulm të hipokrizisë faktin që Serbia organizon parada ushtarake për të frikësuar rajonin, ndërsa akuzon Kosovën për “militarizim”.
Për pretendimet se Qeveria Kurti diskriminon komunitetet jo-shqiptare, ai thekson se realiteti është i kundërt:
Ministri Maqedonci ka kërkuar dy masa urgjente për paqen në rajon: de-hegjemonizimin e politikës serbe dhe dekriminalizimin e ushtrisë serbe, duke përmendur me emër edhe gjeneralin Mojsiloviq, aktualisht Shef i Shtabit të Përgjithshëm, i cili ka komanduar forcat serbe gjatë luftës në rajonin e Ferizajt./Indeksonline/