Tridhjetë e katër kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pas intervistimeve lidhur me dyshimet për manipulim të votave.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
“Mund të ju konfirmojmë se nga të intervistuarit, janë ndaluar për 48 orë 34 kryesues të QKN-ve”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni për lajmi.net.
Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte bërë të ditur përmes një komunikate se kishte urdhëruar Hetimet Rajonale – Jug dhe Veri të Policisë së Kosovës për intervistimin e 43 kryesuesve të QKN-ve në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Intervistimet janë zhvilluar në kuadër të hetimeve për dyshime rreth manipulimit të numërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në këto komuna./lajmi.net/