back to top
Friday, February 6, 2026
BallinaLajme​Manipulim votash në zgjedhje, Ferizaj, Shtime dhe Hani i Elezit nën hetim

​Manipulim votash në zgjedhje, Ferizaj, Shtime dhe Hani i Elezit nën hetim

Të ngjajshme

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në komunat që janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.

Sipas njoftimit, pas veprimeve hetimore të Prokurorit të Shtetit, takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës dhe analizimit të raporteve të pranuara, situata paraqitet e ndryshme nga komuna në komunë.

Në komunën e Ferizajt, bazuar në raportet që përfshijnë 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në përqindje shumë të ulët. Konkretisht, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë shtimi ka qenë nga një deri në tre vota.

Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është vlerësuar si e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.

Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë të shtimit të votave, ku për tre kandidatë është shënuar shtim nga dhjetë deri në 45 vota.

Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit, në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.

Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se ende është në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, me qëllim të mbrojtjes së votës së lirë, ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Të Fundit

Sport

ShowBiz