Analisti politik Albinot Maloku, ka folur për zhvillimet e pritshme politike pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke analizuar mundësitë për krijimin e një qeverie të re apo mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Maloku tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që mund të kenë ndikim në konfigurimin e ardhshëm politik.
“LDK-ja ka shtruar një terren të mirë në dy momente: në momentin kur u shkëput nga pakoja e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe në momentin kur, duke mos respektuar praktikat kushtetuese dhe juridike në vend, votoi nënkryetarin e Kuvendit. E pse të mos ketë një koalicion mes tyre?”, deklaroi Maloku, duke iu referuar një mundësie për bashkëpunim ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Sipas tij, nëse shihet nga logjika e funksionimit të pushtetit në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme duken më të mundshme, por zhvillimet e fundit mund të çojnë edhe drejt një konfigurimi të ri qeverisës përmes koalicioneve.
“Në racionalitetin dhe në logjikën e pushtetit të Kosovës, më shumë e shoh procesin si të drejtë për zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, në praktikë, kur situata është në këtë formë, pse jo të mos kemi një koalicion LDK dhe VV?”, u shpreh tutje Maloku në teve1.
Maloku vlerësoi se kalkulimet politike në këtë fazë janë të ndërlikuara, por çdo opsion mbetet i hapur, përfshirë edhe ndërtimin e një shumice të re parlamentare pa shkuar në zgjedhje.