back to top
Wednesday, December 3, 2025
BallinaLajmeMali i Zi nuk do ta rinegociojë Demarkacionin

Mali i Zi nuk do ta rinegociojë Demarkacionin

Të ngjajshme

Pse duhet t’i konsumoni vezët?

Vezë janë padyshim të shëndetshme dhe të shijshme. Studimet kanë...

Alarm te Barcelona, brenda pesë minutash lëndohen dy yjet e skuadrës

Në “Spotify Camp Nou” po zhvillohet një prej ndeshjeve...

Hoxhaj i reagon Kurtit: PDK udhëhiqet nga Hamza, eja të ballafaqohemi me ide, jo me rrena

Enver Hoxhaj nga PDK-ja ka reaguar ashpër ndaj deklaratave...

Autoritetet e Malit të Zi kanë ritheksuar se nuk do ta ri-negociojnë procesin e Demarkacionit ndërkohë që institucionet e Kosovës po vazhdojnë të kërkojnë mënyra për ta ratifikuar marrëveshjen e arritur vitin e kaluar për kufirin me Malin e Zi.

Anëtari i Këshillit të politikës së jashtme të Parlamentit të Malit të Zi Nikollë Gegaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Mal të Zi “nuk po shqyrtohet mundësia e përkufizimit të sërishëm të vijës kufitare me Kosovën”.

Ai ka bërë të ditur se marrëveshja për Demarkacionin e nënshkruar nga nivelet më të larta të të dyja shteteve dhe në praninë e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, ka mbetur që të ratifikohet nga pala e Kosovës.

“Nuk besoj që do të bëhet rivlerësimi i asaj që është nënshkruar dhe miratuar nga ana e Komisioneve që kanë kryer punë të mirë si dhe të qeverive të të dyja vendeve. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen prandaj edhe pritet që shteti mik Kosova ta bëjë të njëjtën“, ka thënë Gegaj, duke rikujtuar se edhe presidenti amerikan, Barack Obama në takim me ambasadoren e Kosovës në Uashington e ka përkrahur ratifikimin e marrëveshjes.

Gegaj thotë se “ajo që është bërë mund të shërbejë si një model i bashkëpunimit për të tjerët në rajon dhe njëkohësisht dërgohet edhe një porosi pozitive në rajonin e Ballkanit Perëndimor se mund të bashkëpunohet dhe të vihet deri të zgjidhjet që janë në interes të përbashkët”.

“Demarkacioni ndërmjet shteteve që kanë dalë pas shpërbërjes së Jugosllavisë është proces i rëndë dhe i ndërlikuar, por që duhet të zgjidhet“, thekson Gegaj.

Deklarata e anëtarit të Këshillit të politikës së jashtme të Parlamentit të Malit të Zi Nikollë Gegaj, vjen një ditë përpara organizimit të një debati në formë tryeze e cila është thirrur nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Kjo formë e debatit për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi bëhet për herë të parë dhe pas kundërshtimeve me forcë të opozitës për miratimin e demarkacionit në Kuvend, madje edhe me përdorim të gazit lotsjellës.

Tryeza nuk ka karakter vendimmarrës, por llogaritet se do t’i paraprijë seancës vendimmarrëse në Kuvend.

Duke folur për këtë debat i cili pritet të sjell argumente dhe fakte rreth marrëveshjes së demarkacionit më Malin e Zi, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i pati deklaruar Radios Evropa e Lirë se do të jetë një mundësi shtesë për t’u ulur dhe për të biseduar për çështjen e demarkacionit.

“Ajo që është e mira e këtij debati do të jetë përpjekja e ekspertëve, e atyre që e mbështesin dhe atyre që e kundërshtojnë formën e tanishme të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, që të përpiqen ta argumentojnë votimin ose mosvotimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Haliti.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive politike në opozitë, janë skeptikë se debati mbi demarkacionin me Malin e Zi, do të sjellë një konsensus të partive politike lidhur me këtë çështje.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Driton Çaushi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk shpresojnë që ky debat do të ketë ndikim në vendim-marrje.

“Është me rendësi të theksohet se procesi i demarkimit është proces shkencor dhe aspak politik. Duke pasur parasysh që tash e 12 muaj janë injoruar zërat e shkencës dhe është shtyrë përpara një marrëveshje e dëmshme për Kosovën, nuk ka vend për optimizëm se për këtë çështje do të arrihet një konsensus i partive politike”, ka thënë Çaushi.

Partitë politike opozitare vazhdimisht kanë deklaruar se nuk janë kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e aq më pak kundër procesit të liberalizimet të vizave, por sipas tyre, opozita është kundër faljes së 8,200 hektarëve të tokë.

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar në praninë e presidentit malazezFilip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave. (REL)

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz