Macron: Moska do të shtojë provokimet, të jemi të përgatitur

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se Rusia do të intensifikojë tensionet ndaj vendeve evropiane, me synimin për t’i dekurajuar ato nga vijimi i mbështetjes për Ukrainën.
Gjatë fjalës së tij në Koalicionin e të Vullnetshëmve, Macron shprehu solidaritetin me kolegët që, sipas tij, janë vënë në shënjestër gjatë javëve të fundit.
“Është e qartë se vendet e NATO-s do të jenë në shënjestër dhe se provokimet do të shumëfishohen. Duhet të vazhdojmë atë që kemi nisur të bëjmë në kuadër të NATO-s për të garantuar një qëndrim të vendosur”, deklaroi ai.
Macron theksoi gjithashtu nevojën për intensifikimin e luftës kundër të ashtuquajturës “flota hije”, duke e cilësuar këtë strategji si efektive.

Lexo edheKremlini akuzon Britaninë për përshkallëzim të luftës në Ukrainë: Po i hedh benzinë zjarrit
Sipas presidentit francez, vendet duhet të dyfishojnë përpjekjet për sanksione dhe masa të tjera ndaj kësaj flote, duke forcuar njëkohësisht koordinimin dhe duke shmangur rrezikun e përshkallëzimit.
“Ministrat tanë të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme tashmë po punojnë në këtë front”, tha Macron, duke propozuar thirrjen e një takimi ministror në javët e ardhshme, të dedikuar luftës kundër “flotës hije”.














