“Ma shumë ha lot se bukë”, nëna e Bekim Varit rrëfen dhimbjen pas vrasjes makabre të të birit(VIDEO)

Nëna e Bekim Varit, Nexhmije Vari, vazhdon të jetojë me dhimbjen e rëndë pas vrasjes mizore të djalit të saj, të cilin sot mund ta kujtojë vetëm përmes fotografive.
Brenda shtëpisë, aty ku dikur dëgjoheshin zëri dhe të qeshurat e Bekimit, tashmë mbizotëron heshtja.
27-vjeçari nga Ferizaj ishte raportuar i zhdukur nga familjarët më 29 janar 2025, ndërsa trupi i tij ishte gjetur më 5 shkurt në një zonë malore të fshatit Manastirc të Ferizajt.
Për këtë rast, i dyshuar është Leutrim Fejza, kushëriri i tij, me të cilin Bekimi, sipas familjarëve, kishte pasur edhe shoqëri.
Nexhmija e kujton të birin si një djalë të urtë, të sjellshëm dhe shumë punëtor, ndërsa thotë se dhimbja për të është aq e madhe, sa nuk mund ta përshkruajë me fjalë.
“Ma shumë ha lot se bukë”, shprehet ajo mes lotësh, duke rrëfyer për IndeksOnline si po përballet me jetën pas humbjes së të birit.
Lexo edheVra*ja për parking në Suharekë: Policia e konfirmon se Rrahman Hoti nuk ishte ekstraduar nga Zvicra në Kosovë
Dhimbjen ia shton edhe fakti se nuk pati mundësi t’ia shihte fytyrën për herë të fundit Bekimit.
Një tjetër goditje e rëndë për familjen ishte edhe pranimi i raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përmes të cilit mësuan detaje tronditëse për atë që kishte ndodhur me trupin e djalit të tyre.
Nexhmija thotë se asgjë nuk mund t’ia kthejë më të birin, por kërkon që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësi të marrë dënimin e merituar.
Për familjen Vari, 22 marsi mbetet një datë veçanërisht e dhimbshme, pasi në këtë ditë u varrosën dy djemtë e Nexhmijes, të cilët humbën jetën në rrethana të dhunshme.
Sot, kërkesa e saj është vetëm një: drejtësi për Bekimin, në mënyrë që një nënë e goditur nga dy humbje të rënda të gjejë sadopak qetësi në shpirt./IndeksOnline/


